Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski theksoi në fjalimin e fund-vitit para deputetëve se po angazhohet për të penguar ndarjet në vija etnike dhe partiake që po thellohen, sipas tij, në Maqedoninë e Veriut. Ai ftoi të gjithë politikanët që të kundërshtojnë paragjykimet dhe stereotipet në shoqëri.
Pendarovski paralajmëroi se deri në fund të këtij viti do të ftojë në takime përfaqësues të grupeve të tifozëve për të kapërcyer ndarjet që nxisin mes komuniteteve të ndryshme etnike.
Duke komentuar rekomandimet e Komisionit të Venecias lidhur me ligjin e gjuhëve, presidenti maqedonas tha se “asnjë shtet nuk është shkatërruar nga dhënia e më shumë të drejtave qytetarëve të saj në këtë fushë dhe se ligji nuk ka potencial për destabilizimin e vendit, por se duhet bërë korrigjime të nevojshme që ligjet të vihen në jetë”.
Pendarovski vuri në dukje gjendjen në gjyqësor pas rastit të njohur si “Zhvatja” që ka përfshirë ish-Kryeprokuroren e posaçme, duke thënë se që nga pavarësia e vendit, asnjë politikan i profilit të lartë apo biznesmen i pasururar brenda natës nuk ka pëfunduar prapa hekurave. “Për çdonjërin që nuk ka shpjegime logjike se si është bërë milioner me rrogë shteti, duhet të pasojë jo vetëm dorëheqja por dhe procedimi gjyqësor”, tha ai.
Presidenti i quajti procese të përfunduara që prej kohësh debatet mbi gjuhën dhe identitetin maqedonas që janë hapur së fundmi në Bullgari. Ndërsa lidhur me nismat rajonale, tha se ato nuk duhet kuptuar në asnjë mënyrë si alternativë e integrimeve europiane, por si instrument për integrimin e shpejtë në Evropë.
Presidenti theksoi gjithashtu se në pranverë duhet organizuar zgjedhje të ndershme dhe të drejta. VMRO-DPMNE në opozitë e quajti një retorikë boshe fjalimin e presidentit. Deputeti Ilija Dimovski tha se kishin dëgjuar shumë parashikime por asnjë zgjidhje. Deputeti opozitar tha se Pendarovskit i përshtatej më tepër roli i zëdhënësit të qeverisë dhe i Lidhjes Social Demokrate, sepse ai arsyeton politikat e këqija qeveritare./abcnews.al