“Jam rritur me shokë që sot janë nëpër burgje ose kanë vdekur”, reperi rrëfen jetesën në Amerikë, kthimin dhe suksesin në muzikë

schedule11:05 - 15 Shtator, 2022

schedule 11:05 - 15 Shtator, 2022

Don Phenom është një ndër reperët më të pëlqyer shqiptar. Ai numëron një sërë hitesh, solo dhe bashkëpunime. Reperi dha një intervistë këtë të enjte për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, me moderatorin Alban Musa, ku zbuloi më shumë detaje rreth jetës personale dhe profesionale.

I lindur në Shkodër, Don Phenom, emri i vërtetë i të cilit është Marin Sterkaj, emigroi drejt SHBA-ve kur ishte fëmijë. Ai u rrit në Bronx të New York-ut, ku dhe nisi të merrej me muzikë. Gjatë intervistës me moderatorin Alban Musa, ai rrëfeu se si nisi të merrej me muzikë në një vend jo fort miqësor.

Unë jam rritur në Bronx, një ndër lagjet më të vështira të Amerikës. Ka një kriminalitet të madh, shumica e shokëve që jam rritur ose janë në burgje ose kanë vdekur. Dhe në Shkodër është një zonë e ashpër. Shumica e muzikës vjen nga eksperiencat e mia. Asnjëherë nuk jam frymëzuar jashtë realitetit.

I pyetur se si është njohur me bashkëshorten, me të cilën ka dhe një djalë gati dy vjeçar, ai tha: “Jemi njohur rastësisht nga disa miq të përbashkët. U ndodhëm në një vend. U pëlqyem, nisëm të flisnim, avash avash lidhja u bë më serioze. Tani jemi martuar dhe sot kemi një djalë me emrin Troi.”

I pyetur për reperet më të mira shqiptare, ai përmendi Taynën dhe Melinda Ademin. Ndërsa për reperin më të mirë, ai tha emrin e Unikkatil-it, të cilit iu referua si “mbreti” i hip hop-it shqiptar. “Është pa ekzagjerim Unikkatil. Jo vetëm që është si figurë i vëllait të madh.

Por ka bërë diçka aq të bukur për popullin shqiptar dhe ka kënduar këngë që askush nuk ia kalon për mënyrën se si e bën këngën dhe tekstin. Është i paparë në çdo aspekt. Është mbreti i hip hopit. E kam krenari që e kam krah të djathtë dhe që vëllai i tij na menaxhon.“, tha ai.

I pyetur nëse do të dëshironte që i biri të ndiqte hapat e tij, reperi tha: “Për qejf se kisha bërë artist, por nëse do të bëhet, nuk jam kundër. Hip hopi është i paparë në çdo aspekt, por për qejf do të doja të bëja avokat ose doktor sepse e di që do të garantojë jetën.

Profesioni ynë nuk ka jetëgjatësi. Unë nuk do të këndoj gjithë jetën. Duhet me e var xhaketën se është sport i të rinjve”, tha ai.

/abcnews.al