Memphis Depay luan të dielën ndeshjen e fundit të tij me Lyon. Sulmuesit i skadon kontrata më 1 korrik dhe pas kësaj ai mund të firmosë me një tjetër klub pa asnjë kosto për blerjen e tij. Sulmuesi, autor i 24 golave dhe 11 asisteve këtë sezon, foli për L’Equipe dhe u tregua i drejtpërdrejtë.
Depay tregon pa komplekse synimet e tij për të ardhmen dhe e sheh veten në listën e lojtarëve, që mund të luajnë në skuadrat e nivelit më të lartë në botë. Holandezi prej kohësh flitet për kalimin te Barcelona, por e ardhmja në dyshim e Koeman e lëkund shumë këtë mundësi.
“Nëse do kisha të njëjtat statistika te PSG në vend të Lyon, të gjithë do më përmendnin. E njëjta gjë nëse do kisha bërë kështu te Manchester United. Dua të shkoj në një nga tre klubet më të mira në 5 ligat e mëdha evropiane.
Se ku do të shkoj, nuk e di ende, por ky është qëllimi im. Dhe më pas nëse njerëzit nuk duan të më vendosin në listën e lojtarëve të nivelit të lartë, ata kanë një problem me mua sepse unë e di se mund të jem në atë listë. Po e provoj këtë edhe në kombëtare”, u shpreh Depay. /abcnews.al