Kryeministri Edi Rama ka folur për gazetarët pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë në Selinë Rozë. I pyetur nga gazetarët për çështjen e inceneratorëve për të cilën SPAK ka kërkuar së fundmi arrestimin për shpërdorim detyre.
Ndërsa theksoi se vite më parë as nuk mund të mendohej që njerëz me pushtet të përfundonin pas hekurave, kreu i qeverisë tha se askush nuk duhet të habitet sot nëse cilido nga shumica apo pakica kërkohet nga drejtësia.
Ndërsa përsëriti edhe një herë se është krenar për impiantet e prodhimit të energjisë nga djegia e mbetjeve, Rama tha se nëse gjatë zhvillimit të projektit ka pasur individë që kanë bërë veç punës së shtetit, edhe punë të xhepit të tyre, atëherë kjo jo domosdoshmërisht “ka lidhje me qeverinë apo vetë projektin.”
Kryeministri shtoi po ashtu se të gjithë kanë të drejtën e prezumimit të pafajësisë derisa të vërtetohet e kundërta.
Edi Rama para gazetarëve:
“Sot është një Shqipëri tjetër. Nuk duhet të çuditeni që cilido qoftë nga shumica e pakica kërkohen nga drejtësia. Vendimet e SPAK, si komentoj, se për mua përtej palës, qëndron misioni që kjo rrugë duhet të vijojë përpara e papenguar.
Mund të ketë kthime pas, mund të ketë vendime shumë të diskutueshme, janë të natyrshme në një proces që është proces zgjimi pas 500 vitesh padrejtësi.
Nuk bëhet fjalë për inceneratorë, ne kemi ndërtuar impiante të prodhimit të energjisë nga mbetjet, incenerimi është pjesë e tyre. Jam shumë krenar për ato vepra, veprat janë aty. Sot territore të tëra të Shqipërisë që ishin mbytur nga plehrat marrin frymë lirisht. Nëse në këtë proces, individë të caktuar, veçse bëjnë punë e shtetit, bëjnë edhe punën e xhepit të tyre, kjo s’ka lidhje me projektin, programin e qeverisë, cënim të ligjit.
Nëse drejtësia e nxjerr në pah, duhet të jemi të kënaqur. Kush përdor detyrën shtetërore, mund të përfundojë, aty ku deri dje mund të përfundonin njerëz me pushtet. Qëndrimet e mia, këta njerëz kanë të drejtën e prezumimit të pafajësisë deri në fund.” /abcnews.al/