Jake Sullivan në Kinë, takohet me Xi Jinping

schedule12:14 - 29 Gusht, 2024

schedule 12:14 - 29 Gusht, 2024

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, u takua sot në Pekin me presidentin kinez Xi Jinping, duke i dhënë fund një vizite tre-ditore në kryeqytetin kinez, me qëllim lehtësimin e tensioneve mes dy superfuqive.

Xi e siguroi Sullivanin se Pekini mbetet i përkushtuar për një marrëdhënie të qëndrueshme me Uashingtonin.

“Angazhimi i Kinës për zhvillimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe të shëndetshme midis Kinës dhe SHBA-së nuk ka ndryshuar”, theksoi presidenti kinez,

“Në këtë botë të trazuar dhe në ndryshim, vendet kanë nevojë për solidaritet dhe bashkëpunim, jo për bllokada”, shtoi Xi. Në të njëjtën kohë, presidenti kinez shprehu shpresën se SHBA-të do të punojnë me Kinën për të gjetur një zgjidhje kompromisi.

Nga ana e tij, Sullivan tha se presidenti amerikan Joe Biden është i përkushtuar për të menaxhuar marrëdhëniet dypalëshe me synimin për të shmangur konfliktin dhe theksoi se ai “pret me padurim të flasë me të në javët e ardhshme”.

Jake Sullivan, i cili ka vizituar Kinën që nga e marta, është këshilltari i parë për sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë që viziton Kinën që nga viti 2016. Vizita e tij vjen në një sfond tensionesh midis Kinës dhe aleatëve kryesorë të Uashingtonit në Azi, Japonia, Filipinet dhe Tajvani.

Shtetet e Bashkuara u zotuan të mërkurën t’i mbështesin ato. Sullivan ishte takuar më parë me gjeneralin kinez Zhang Yuxia, nënkryetar i Komisionit Qendror Ushtarak.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!