Miliarderët me jahte e blejnë naftën pa taksa, por femerët dhe peshkatarët jo: Protestë në Sarandë

schedule13:49 - 4 Maj, 2020

schedule 13:49 - 4 Maj, 2020

Peshkatarët në Sarandë kanë protestuar sot, në portin e peshkimit për çmimin e lartë të naftës. Sipas tyre përveç pandemisë, edhe çmimi i naftës po çon shumicën prej tyre drejt falimentimit.

Peshkatarët ankohen se ata nuk e përfitojnë karburantin me çmimin e bursës, ndërsa për jahtet standardi është i dyfishtë. Ata thonë se jahtet e përfitojnë me çmimin ditor të bursës të zhveshur krejtësisht nga taksat.

Nafta me çmim të papërballueshëm ka bërë që peshkatarët në Sarandë të dalin më rrallë në det, duke e bërë të vështirë kështu edhe sigurimin e pagesës për punëtorët.

Ata shprehen se pavarësisht se janë të siguruar asnjëri prej tyre nuk ka përfituar pagën e luftës.

“Solidarizohemi me peshkatarët e Durrësit, mirë është që të na bashkohet edhe Vlora me Shëngjinin. Nëse shteti shqiptar nuk na jep çmimin e naftës sipas bursës, të paktën të na hapë tregjet jashtë se e gjejmë në Itali e në Greqi. Ne kërkojmë një shteg shpëtimi nga shteti shqiptar. Ne jemi të rregullt me të gjithë taksat. Ndihemi të persekutuar të paktën në lidhje me naftën”, thotë një prej tyre.

Më parë, për të njëjtat arsye kanë protestuar dhe peshkatarët e Durrësit.

Në fakt, çmimi i naftës në tregun e huaj ka arritur në nivelin më të ulët historik. Kjo ka ndodhur si pasojë e uljes së kërkesës së tregut, duke qenë se pjesa më e madhe e njerëzve janë në karantinë, ndaj rezervat e naftës kanë tejkaluar kapacitet mbajtëse.

Në shumë vende, çmimi i naftës ka rënë deri në nivel negative, por kjo ulje nuk është reflektuar në çmimin e naftës në vend ose të paktën kjo nuk ka ndodhu në rastin e peshkatarëve.

Por çfarë ndodh?

Paradoksi qëndron në faktin se ndërsa peshkatarët ankohen për çmimin e naftës, nuk ndodh e njëjta gjë me të ashtuquajturin turizëm elitar.

Lehtësirat portuale dhe fiskale ndaj turizmit detar, kryesisht tregtimi i naftës duty free dhe përshtatja e kalatave për jahtet në portet shqiptare, e ka shtuar ndjeshëm numrin e tyre në portet e vendit, edhe për arsye se, Karburanti me të cilin furnizohen këto jahte në Shqipëri, e ka akcizën zero, gjithashtu nuk paguajnë as TVSH pasi konsiderohet rieksport./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!