Nga Foreing Policy
Lufta në Idlib është një krizë humanitare në rritje, një katastrofë e mundshme për Ankaranë, dhe një problem që nuk varet nga Uashingtoni.
Javën e shkuar Turqia nisi luftën me Rusinë, pak a shumë. Operacionet aktuale të ushtrisë në Ankara vijnë si përgjigje ndaj një sulmi që ndodhi më 27 shkurt në Siri dhe u mori jetën 36 ushtarëve turq si dhe plagosi 30 të tjerë. ( Autoritetet turke në provincën Hatay, zonë në afërsi të vendit ku ndodhi sulmi, në fillim fajësuan Turqinë, por në Ankara zyrtarët vendosën përgjegjësinë me forcat e regjimit sirian.)
Që atëherë, pala turke ka pozicionuar forcën e zjarrit të një makinerie të avancuar ushtarake të NATO-s kundër shënjestrave të Sirisë ndërsa rusën janë detyruar që të qëndrojnë mënjanë.
Që të dy, si presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin janë shprehur se duan që t’i qetësojnë gjakrat, dhe kjo ishte pikërisht ajo që bënë në Moskë të enjten kur vendosën një armëpushim. Me gjithë diskutimet në Uashington këto ditë për “konkurrencën e fuqisë së madhe”, ngjarjet në Siri kanë vazhduar pa ndonjë ndërhyrje të madhe të SHBA-ve. Dhe gjejeni se çfarë? Dielli u ngrit sërish mbi lumin Potomac në Uashington gjithsesi.
Përgjatë epokës post- Luftës së Dytë Botërore, zyrtarët amerikanë dhe komentuesit kanë krijuar përshtypjen, kryesisht mes tyre, se prezenca e SHBA-ve ishte e rëndësishme në vendet afër dhe larg sepse gjithçka ishte e rëndësishme për interesat strategjike të një fuqie globale. Gjithsesi, kjo faze e re e Turqisë në konfliktin në Siri është thjesht shembulli më i fundit që e minon këtë ide. Të paktën sa i përket çështjes së Sirisë, Turqia duket se po ia del shumë mirë e vetme.
Përpara se të ndodhte sulmi që vrau ushtarët turq, në Ankara ishte krijuar një situatë paniku për mungesën e dukshme të interesit të treguar nga Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi për të ndihmuar Turqinë me situatën në Siri. NATO shprehu fjalë mbështetjeje, por kërkesa e Turqisë për bateri për raketat Patriot kalo e pavënë re. Më pas, sulmet mes forcave turke dhe siriane u shtuan, komentet e turqve filluan të shuhen.
Sinan Ulgen, një analist i respektuar, shkroi në Twitter se Perëndimi duhet të ndërhyjë dhe të mbështesë Turqinë në mënyrë që të mos tjetërsojë aleatin NATO. Fahrettin Altun, zëdhënës i Erdogan-it, postoi gjithashtu një shkrim të gjatë në Twitter me anë të së cilës kritikonte përgjigjen e Perëndimit, duke e quajtur “dekurajuese”. Më pas tabloidët e Erdoganit i zgjodhën këto qortime, dhe i bënë jehonë kauzës së drejtë të Turqisë ndërsa sulmuan SHBA-të dhe Evropën që nuk qëndruan krah Ankarasë.
Kjo është diçka që pritej si nga intelektualët aktualë të Turqisë, zyrtarët ashtu edhe nga gazetarët “lëpirës”, por gjithsesi mbetet e çuditshme dhe humbje kohe për të paktën dy arsye.
Së pari e gjithë kjo duket kaq shumë e pavetëdijshme. Qeveria turke e ka kaluar pjesën më të mirë të dekadës së fundit duke nënvlerësuar politikën e jashtme amerikane, duke u përfshirë në një retorikë të tmerrshme anti-amerikane si dhe duke kërcënuar apo arrestuar amerikanë. Është e vështirë për t’u kujtuar, por rreth viteve 2011 dhe 2012 vështirë se mund të gjeje një kritikë të Turqisë, Erdoganit, dhe partisë Drejtësi dhe Zhvillim në Uashington.
Tani është e vështirë që të gjesh një aleat të Ankarasë, edhe pse ekzistojnë disa cinikë të cilët po paguhen për këtë punë. Ndoshta i vetmi i urryer i Erdogan-it, Princi i Kurorës së Arabisë Saudite Mohammed bin Salman, ka “fryrë” më shumë dashamirësi në Uashington dhe më shpejt se presidenti turk. Si rezultat, brenda Beltway, nuk ka ndonjë interes të madh për të ndihmuar Turqinë këto ditë. Në fakt, rrjedha po shkon në drejtim të kundërt: Lëreni Erdogan-in që të zgjidhë lëmshin që ka krijuar vetë. Ai nuk ka qenë një partner, kështu që pse duhet të rrezikojnë SHBA-të e të përfshihen direkt në konfliktin në Siri për të ndihmuar Ankaranë? Me pak mbështetës dhe me një president që garoi për ta bërë Amerikën të madhe, pjesërisht duke e nxjerrë jashtë Lindjes së Mesme, turqit nuk duhej të kishin pritur shumë nga Uashingtoni, veç fjalëve të kuruara mirë.
E dyta dhe më e rëndësishmja, forcat e armatosura turke nuk duket se kanë shumë nevojë për ndihmë. Që pas nisjes së operacionit Spring Shield, turqit i kanë bërë dëm të konsiderueshëm forcave të liderit sirian Bashar al-Assad.
Ushtria turke ka mundur të kalojë pjesën më të madhe të forcave të vijës së parë të Sirisë, duke rrëzuar aeroplanë dhe helikopterë, duke shkatërruar artileri dhe duke vrarë një numër të madh të personelit ndërsa vetë ka dalë me humbje modeste. Shtetet e Bashkuara mund të kenë aftësi unike ushtarake që mund të jenë të dobishme për Turqinë, por turqit nuk duket se kanë nevojë për to. E njëjta gjë qëndron edhe për Evropën: Ndërsa Erdogan e ka provuar se ai mund të imponojë dhimbje në kontinent duke inkurajuar refugjatët të shkojnë drejt kufijve të saj, nuk është e qartë pse ai do të priste ndonjë kontribut ushtarak nga ushtritë me probleme të Evropës për t’i sjellë benefite luftës së Turqisë në Siri. Në vend që të ankohen për mungesën mbështetjes nga SHBA dhe Evropa, zyrtarët turq mund të thoshin thjesht, “Ne mund ta menaxhojmë vetë këtë”.
Problemi për Turqinë nuk janë aftësi ushtarake, sidomos kundër forcave siriane që nuk mund t’ia dilnin në Alepo derisa ndërhyri Rusia në emër të tyre në 2015. Përkundrazi, problemi është i njëjti me atë që ka pllakosur politikën e Turqisë për Sirinë, dhe atë të çdo vendi tjetër jashtë Rusisë dhe Iranit. Zyrtarët turq nuk ia kanë idenë se si ta çojnë konfliktin në një fund përfundimtar dhe e kanë treguar se nuk kanë mundur që t’i lehtësojnë vuajtjet, që si duket nuk po kanë fund, të sirianëve. Por kjo nuk i bën ata të ndryshëm nga homologët e tyre evropianë dhe amerikanë.
Shtetet e Bashkuara dhe Evropa në thelb janë në të njëtën situatë. SHBA-të thjesht nuk shohin ndonjë interes në Siri që do t’ia vlente për t’u mbrojtur me forca ushtarake, përfshirë këtu edhe mbrojtjen e jetëve të civilëve. Ndërsa politikë-bërësit në Uashington tundin kokat mbi masakrën që rezulton, ka pak interes për të siguruar ndihmë humanitare në një zonë aktive lufte.
Nga ana e tij, dikur Erdogan imagjinoi ndryshimin e regjimit në Damask si “përfundim të lojës”, por ai e kuptoi se kishte nevojë për vetëpërmbajtjen e Putinit për ta ndihmuar në kontrollimin e nacionalistëve kurdë. Kjo është arsyeja se pse Erdogan u detyrua të nënshkruajë një marrëveshje armëpushimi me Putin-in dhe iranianët në Shtator të vitit 2018 që impononte kushte, të tilla si çarmatosja e grupeve ekstremiste në Siri, për të cilën ai nuk kishte ndonjë shpresë se do e përmbushte. Sa për Erdoganin, kjo marrëveshje ndihmoi që të ndalur katastrofën për disa vite.
Por, nga fundi i vitit 2019 ushtria ruse dhe Asad vendosën që kishte ardhur koha që të merrnin mbrapsht provincat siriane afër kufirit me Turqinë. Për Asadin, Idlibi ishte krahina e fundit e mbetur jashtë kontrollit të tij. Strategjia ushtarake e përdorur shkaktoi katastrofën humanitare që gjendet sot në veri-perëndim të Sirisë, zonë ku pothuajse një milion njerëz kanë mbetur midis tre ushtrive. Shpresa e miliona sirianëve të dëshpëruar për të hyrë në Turqi është ajo që nxiti ndërtimin aktual ushtarak të Erdogan atje. Rezultati ka qenë një luftë brenda luftës, dhe një situatë që zyrtarët amerikanë kanë sinjalizuar, edhe një herë tjetër, se nuk është me përparësi e madhe. Sidoqoftë, armëpushimi që Erdogan dhe Putin prishën më 5 mars tregon se turqit janë plotësisht të aftë për ta trajtuar krizën pa ndihmën e Uashingtonit, të paktën për një kohë të shkurtër.
Në terma afatgjatë, turqit kanë një rast për ndihmë ndërkombëtare në Siri. Për sa kohë që sirianët, rusët dhe iranianët vazhdojnë të derdhin gjakun lumë atje, Ankaraja do të përballet me një krizë të mundshme për t’u kujdesur për për miliona refugjatë, prania e të cilëve mund të rezultojë destabilizuese në Turqi. Por, ndërsa askush nuk do të përpiqet që t’i ndalojë turqit të shpalosin kauzat e tyre, askush nuk ka në plas as që t’i ndihmoje, dhe aq më pak Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
/Foreing Policy. Përkthue: abcnews.al/