Ministria e Shëndetësisë e Hamasit njoftoi të premten se të paktën pesë pacientë në një spital në Rripin e Gazës, të kontrolluar nga ushtria izraelite, kanë vdekur për shkak të një ndërprerjeje të energjisë elektrike, e cila rezultoi në mungesën e oksigjenit në dhomat e tyre.
Ministria shtoi se është e shqetësuar për fatin e shtatë pacientëve të tjerë, katër në njësitë e kujdesit intensiv dhe tre në repartin e foshnjave.
Ushtria izraelite, nga ana e saj, siguroi se “operacioni në shënjestër” në spitalin Nasser në Khan Younis u krye për shkak se kishte “informacion të besueshëm” nga shërbimet speciale, sipas të cilave Hamasi mbante pengje dhe ndoshta trupa pengjesh.
Pas më shumë se katër muaj lufte, armiqësitë janë përqendruar në pjesën jugore të Rripit të Gazës të rrethuar dhe kryesisht të rrafshuar, midis qyteteve Khan Younis dhe Rafah.
Spitali Nasser ishte kthyer në një strehë për mijëra të zhvendosur nga luftimet. Megjithatë, shumë prej tyre janë arratisur ditët e fundit mes kushteve kaotike, ndërsa luftimet midis ushtrisë izraelite dhe Hamasit ishin gjithnjë e më afër objektit shëndetësor.
Lufta nisi nga një sulm i paprecedentë nga krahu ushtarak i Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, i cili vrau më shumë se 1,160 njerëz, kryesisht civilë.
Operacionet hakmarrëse ushtarake izraelite në Rripin e Gazës kanë shkaktuar të paktën 28,775 viktima, shumica dërrmuese e tyre civilë.
/abcnews.al