Izraeli paralajmëron katër vende europiane kundër njohjes së shtetit palestinez

schedule12:56 - 25 Mars, 2024

schedule 12:56 - 25 Mars, 2024

Izraeli  ka paralajmëruar katër vende evropiane të hënën se plani i tyre për njohjen e një shteti palestinez është “çmim për terrorizëm”, i cili do t’i zvogëlojë mundësitë për gjetjen e një zgjidhjeje përmes bisedimeve të konfliktit mes fqinjëve.

Spanja tha të premten e kaluar se, në emër të paqes në Lindjen e Mesme, është pajtuar me Irlandën, Maltën dhe Slloveninë, për t’i ndërmarrë hapat e parë drejt njohjes së shtetësisë së shpallur nga palestinezët në Bregun Perëndimor, të okupuar nga Izraeli, si dhe në Rripin e Gazës.

Gaza ka kohë të gjatë që sundohet nga Hamasi,  grupi radikal palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

Ky grup e kreu një sulm më 7 tetor në jug të Izraelit – ku i vrau 1.200 njerëz dhe rrëmbeu mbi 250 të tjerë – duke e nxitur një luftë shkatërruese në Gazë, e cila ka shkaktuar dhunë edhe në Bregun Perëndimor, ku Izraeli ka ndërtuar shumë vendbanime për hebrenjtë.

“Njohja e një shteti palestinez pas masakrës së 7 tetorit i dërgon mesazh Hamasit dhe organizatave të tjera terroriste palestineze, se palestinezët do të marrin vetëm përgjigje politike për sulmet vrastare terroriste ndaj izraelitëve”, tha ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz.

Ai shtoi se zgjidhja e konfliktit “do të jetë e mundur vetëm përmes bisedimeve të drejtpërdrejta mes palëve. Çfarëdo njohje e shtetit palestinez vetëm e vonon arritjen e një zgjidhjeje dhe e rrit jo-stabilitetin rajonal”.

Ai nuk shpjegoi se për çfarë zgjidhjeje po mendonte.

Izraeli, koalicioni qeverisës i të cilit përfshin edhe djathtistë, ka kohë të gjatë që e hedhin poshtë mundësinë për një shtet palestinez.

Kjo ka shkaktuar mosmarrëveshje mes tij dhe fuqive perëndimore, të cilat e mbështesin synimin e Izraelit për ta shkatërruar Hamasin, por duan zgjidhje diplomatike pas përfundimit të luftës./rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!