Kreu i Hezbollahut, Hassan Nasrallah po mban fjalimin e parë publik pas shpërthimeve të pajisjeve të komunikimit, ku mbetën të vrarë 37 persona dhe u plagosën rreth 3,000 të tjerë në të gjithë Libanin.
Shpërthimet e të martës dhe të së mërkurës dukej se ishin rezultat i një operacioni disa mujor të Izraelit për të shënjestruar sa më shumë anëtarë të Hezbollahut në të njëjtën kohë. Grupi është zotuar të hakmerret kundër Izraelit dhe sulmi i paprecedentë ka ngjallur frikën e një lufte në shkallë të gjerë.
“Armiku në fakt i ka kaluar të gjitha vijat e kuqe. Shpërthimet kanë ndodhur në spitale, në farmaci, spitale, tregje, dyqane, shtëpi, makina dhe në rrugët ku shumë civilë ishin së bashku me gra dhe fëmijë. Shpërthimet vdekjeprurëse janë diçka ndryshe”, thotë ai, duke shtuar se rreth 4,000 pager ishin në shënjestër dhe shpërthimet kishin për qëllim “për të vrarë 4,000 njerëz në një moment”.
“Kjo është shkalla e kriminalitetit. Si mund ta quajmë këtë lloj veprimi kriminal – a është një operacion i madh? A është gjenocid? Është masakër?“, thotë Nasrallah, duke shtuar se numri i të vrarëve dhe i të plagosurve mund të ishte më i madh sepse disa pajisje nuk ishin shpërndarë dhe të tjerët nuk ishin pranë anëtarëve të Hezbollahut kur shpërthyen.
Ai tha se do të hetojnë kompanitë e përfshira në prodhimin dhe shitjen e pagerëve, si dhe mënyrën se si janë shpërndarë.
“Kjo mund të quhet një deklaratë lufte. Ne kemi marrë një goditje shumë të rëndë, por kjo është gjendja e luftës. Përmes kësaj përvoje dhe mësimeve të saj ne do të jemi më të fortë dhe më të fuqishëm.“, shtoi ai./abcnews.al