Në Izrael 10 persona, që po stërviteshin për të hyrë në ushtri, kanë humbur jetën. Zona ku ata po stërviteshin u përmbyt nga një lum i thatë, që u tejmbush papritur pas reshjeve të dendura të shiut.
Vërshimi i rrëmbyer i ujit ka përfshirë një grup prej 25 personash në shtratin e një lumi të shkretëtirës Negev në Izrael duke vrarë 10 prej tyre. Viktimat janë 9 vajza dhe një 18-vjeçar. Grupi kishte organizuar një eskursion përgjatë lumit Tsafit, që zakonisht është i shteruar plotësisht. Eskursioni bënte pjesë në një program parapërgatitor për të rinjtë që do të hynin në ushtri për 3 vite shërbim të deytruar.
Shirat e dendur kanë transformuar atë që zakonisht është një përrua i vogël në një lum të rrëmbyer. Helikopterët ushtarakë dhe qindra agjentë dhe ushtarë kanë kontrolluar lumin Tsafit ku dhe gjetën viktimat. Kjo zonë gjendet në shkretëtirën pranë Detit të Vdekur. Në 48 orët e fundit shirra të rrëmbyer kanë goditur të gjithë Izraelin.
Disa nga vajzat ishin të vetëdijshme për rrezikun. Televizionet e shtetit hebre kanë publikuar mesazhet e dërguar nga ekipi që kishte ndërmarrë eskursionin. “Nuk mund ta besoj që po bëjmë stërvitje në një gjendje të tillë. Kjo është shumë e papërshtatshme. Kështu do të vdesim”, ishte mesazhi i fundit i njërës prej viktimave që humbi jetën për shkak të përmbytjeve./abcnews.al