Izraeli bombardon laboratorët e armëve kimike në Siri

schedule18:58 - 7 Shkurt, 2018

schedule 18:58 - 7 Shkurt, 2018

Forcat ajrore izraelite kanë kryer sulme kundër komplekseve ushtarake në Siri, duke goditur laboratorët e prodhimit të armëve kimike. Nga ana e saj, ushtria siriane ka deklaruar se sistemet e tyre mbrojtëse i kanë neutralizuar të gjitha raketat.

Avionë luftarakë izraelitë kanë qëlluar raketa ndaj një baze ushtarake siriane, në afërsi të Damaskut. Në një deklaratë për shtyp të ushtrisë siriane thuhet se sistemet mbrojtëse ajrore bllokuan shumicën e raketave, por nuk jepen detaje të tjera.

Mediat ndërkombëtare flasin se nga sulmet janë goditur depot në lokalitetin Xhamraja, ku Perëndimi dyshon se prodhohen armët kimike. Izraeli, që ka njoftuar se ka kryer të paktën 100 sulme klandestine në Siri që prej vitit 2011, ka refuzuar të komentojë lajmin.

Shumica e sulmeve të shtetit hebre thuhet se kanë pasur si qëllim parandalimin e trafikimit të armëve të avancuara në duart e lëvizjes libaneze Hezbollah. Grupi i mbështetur nga qeveria iraniane bëri një luftë me Izraelin në vitin 2006 dhe ka dërguar disa mijëra luftëtarë të tij në mbështetje të trupave të presidentit sirian, Bashar al Assad.

Në deklaratën e ushtrisë siriane thuhet ndër të tjera se, avionët izraelitë i kishin qëlluar raketat nga hapësira ajrore libaneze, në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.

Ndërkohë, Observatori sirian për të drejtat e njeriut ka njoftuar se, raketat kanë goditur depot me municione në lokalitetin Xhamarja. Në zonën në fjalë, e njohur ndryshe me emrin Dumar, ndodhen komplekse të shumta ushtarake, si dhe një degë e Qendrës për Kërkime dhe Studime Shkencore, që dyshohet se merret me prodhimin e armëve kimike./abcnews.al