Sondazhet e televizioneve izraelite tregojnë se nga zgjedhjet e përgjithshme të së martës nuk ka dalë një fitues. Sipas anketave, partia e kryeministrit Netanyahu ndodhet kokë më kokë me “Bardheblutë” e qendrës dhe gjithçka do të varet nga aleancat me partitë e vogla.
Beteja e kryeministrit Beniamin Netanyahu për mbijetesë politike duket se do të vazhdojë edhe për disa ditë ose javë, pasi sondazhet për zgjedhjet e së martës tregojnë se partitë janë shumë pranë njëra-tjetrës për të shpallur një fitues.
Anketat e kryera nga stacionet televizive izraelite tregojnë se partia e Netanyahut, “Likud”, merr nga 31 deri në 33 vende në parlamentin me 120 ulëse; ndërsa partia “Bardheblu”, e qendrës, 32 deri në 34 vende.
Sondazhet tregojnë gjithashtu se aleati i dikurshëm i Netanyahut, ish-ministri i Mbrojtjes Avigdor Liberman mund të kthehet në personazhin kyç të këtyre zgjedhjeve, për shkak të mbështetjes që partia e tij e ekstremit të djathtë mund të ofrojë për formimin e një koalicioni qeverisës.
Zgjedhjet e së martës erdhën pas atyre të mbajtura në prill, në të cilat Netanyahu tregoi një dobësim të figurës së tij politike dhe dështoi në formimin e qeverisë. 69-vjeçari është kryeministri më jetëgjatë i Izraelit dhe po kërkon një mandat të pestë pas një dekade në pushtet.
Partitë “Likud” dhe “Bardheblu” siguruan nga 35 vende secila në zgjedhjet e prillit dhe u duhej mbështetja e partive të vogla për të formuar një koalicion qeverisës. Sikurse në zgjedhjet e prillit, edhe këtë herë kundërshtarët e Netanyahut u fokusuan në akuzat për korrupsion që rëndojnë ndaj tij, të cilat ai i mohon./ABC News Albania 24/7

