Izolimi nga Covid-19, psikologu për ABC News: Problemet afatgjata do të jenë pas karantinës

schedule22:39 - 3 Prill, 2020

schedule 22:39 - 3 Prill, 2020

Këtë mbrëmje në një lidhje direkte me Mustafa Nanon në “Provokacija” ishte edhe psikologu Edmond Dragoti.

Ndër të tjera gjatë bisedës mes tyre u diskutua për impaktin që ka njeriu mbi natyrën dhe sesi ky impakt është zvogëluar këto ditë të pandemisë kur aktiviteti normal është ndaluar. Një shembull që u përmend ishte ai i ujit të kanaleve në Venecia që sot është më i pastër se kurrë për shkak të “mungesës” së njerëzve.

Duke iu rikthyer distancimit social dhe karantinës në shumicën e vendeve në botë, Nano shtron pyetjen:

Profesor Mondi, mua më duket, ky karantinimi apo izolimi që i është bërë gjithë botës, gjithë njerëzimit nëpër shtëpia, në një farë mënyrë, në një farë kuptimi një lloj eksperimentimi për ju psikologët. Janë kyçur të gjithë brenda dhe të shohim tani impaktin që ka izolimi tek psikika e njerëzve. Apo jo?

Dragoti:

“Është e vërtetë, është një eksperiment që ndodh me shoqërinë tonë në këto momente..si me thënë njerëzit u mbyllën nëpër shtëpia totalisht për një afat të pacaktuar, pa e ditur se kur do të dalin dhe si do dalin. Dhe, kjo lloj hamendeje, paqartësie i shton problemet e situatës. Për ne është interesant fakti që të studiojmë efektet që do japë pas daljes nga karantina.”

Sipas profesor Dragotit, impakti do të  duket pas karantinës, pasi gjatë karantinës, njerëzit e kanë përqendruar të gjithë vëmendjen tek menaxhimi i situatës dhe janë më solidarë me njëri-tjetrin.

Dragoti:

“…Ky presion na mban në tension si me thënë, por na bën të durojmë dhe krijon një lloj solidariteti për njëri-tjetrin. Por problemet më të mëdha, kryesisht afatgjata do të jenë pas karantinës.”

Më tej profesori tregon se një tjetër pasojë e kësaj periudhe mund të jetë pagjumësia, dhe ai thotë se i ka pyetur disa nga studentët e tij nëse kanë pasur kështu problemesh.

Ai shton:

“I pyeta studentët për pagjumësisë dhe asnjë nuk kishte vuajtur nga pagjumësia. Si duket akoma nuk kanë filluar këto shfqaje, sidomos tek moshat e reja. Problem i madh mbeten moshat e vjetra, problemi i tyre më i madh është distancimi social…”

Çfarë është më padurueshme për njeriun, të mos punojë apo të kyçet brenda?

Dragoti:

Më e padurueshme është të kyçet brenda. Psikologët mendojnë se izolimi social është njëlloj sikur të mbetesh pa ngrënë. Dmth ajo nevoja për të ngrënë është po aq e madhe sa nevoja për të komunikuar me njerëzit, për t’u socializuar me ta. Sepse në përgjithsësi shoqëria e shëron një të sëmurë, shoqëria e zhvillon atë. Shoqërizimi është ai që ka një efekt të menjëhershëm dhe të domosdoshëm në zhvillimin normal të individit.

Nano:

Ka zëra që thonë se për shkak të krizës së Covid-19 bota nuk do të jetë më kjo që është? E ekzagjërojnë apo?

“Të paktën në kontekstin shqiptar, kjo nuk ka për të pasur efekte shumë të mëdhaja. Në mënyrën e sjelljes dhe të gjitha gjërave. Sepse ne jemi vend i pazhvilluar..Kultura jonë është ende trazitore…” /abcnews.al/