Italia, e fundit në Europë për gjendjen e burgjeve

schedule12:53 - 2 Prill, 2019

schedule 12:53 - 2 Prill, 2019

Numrin më të madh të të burgosurve, shpenzimet më të larta për administratën e burgjeve. Janë këto dy nga arsyet se pse Italia renditet e fundit në Europë për gjendjen në burgje.

Italia është ndër vendet e fundit në Europë për sa i përket mbipopullimit në burgje. Italia renditet mes vendeve më të këqija në kontinent, e ndjekur vetëm nga Maqedonia e Veriut, Rumania dhe Franca. Gjithashtu në Itali është një numër i madh të burgosurish të huaj, të cilët i kushtojnë shtetit 2.7 miliardë euro.

Të shumtë në numër janë dhe ata që presin gjyqin apo dënimin për krime që lidhen me drogën. Në raportin “SPACE” të publikuar nga Këshilli Europian, 12 vendet me më shumë se 100 të burgosur për 100 vende të disponueshme ishin: Maqedonia e Veriut, Rumania, Franca, Italia, Moldavia, Serbia, Portugalia, Republika Çeke, Greqia, Austria, Sllovenia dhe Danimarka.

Mesatarja europiane është 91.4 për qind të burgosur për 100 vende të disponueshme. Sipas këtij raporti, Italia është në vend të dytë për numrin më të madh të të burgosurve të huaj: në 31 janar 2018 ishin 19.818 kundrejt 24.483 të Gjermanisë.

Numri më i madh i arratisjeve nga burgu është regjistruar në Francë, e cila ndiqet nga Gjermania, Zvicra dhe Italia (130).

Italia renditet në vendin e tretë për shpenzimet për administratën e burgjeve me 2.7 miliardë, pas Rusisë 3.9 miliardë dhe Gjermanisë 3.1 miliardë. Ndër të tjera në Itali regjistrohet dhe një numër i madh të burgosurish të dënuar për krime që lidhen me drogën: pothuajse 31. 1 për qind e tyre. Ndërsa mesatarja në Europë është 16.8%./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!