Itali, Senati i jep votëbesimin qeverisë Conte

schedule22:47 - 5 Qershor, 2018

schedule 22:47 - 5 Qershor, 2018

Qeveria e Giuseppe Conte ka marrë votëbesimin në Senatin e Italisë. Në fjalimin që i parapriu votimit, kryeministri i ri ka përjashtuar opsionin e daljes së Italisë nga euro, por i ka mëshuar reformimit të politikave ekonomike.

Senati italian i ka dhënë mbrëmjen e së martës votëbesimin qeverisë së Giuseppe Conte. Nga 324 vota, 171 kanë qenë pro, 117 kundër dhe 25 abstenim. Në fjalimin e tij, kryeministri Conte ka garantuar senatorët për vazhdimin e marrëdhënieve të Italisë me Bashkimin Europian.

“Dalja nga euro nuk është pjesë e diskutimeve tona. Por ne do të diskutojmë politikat ekonomike”, ka deklaruar Conte.

Ai u ka dhënë përgjigje edhe kritikave se flet sikur të ishte në fushatë elektorale.

“Ndoshta sepse nuk jeni mësuar të shihni gjërat e përmendura gjatë fushatës të përmbledhura në një program qeverisës”, u ka thënë ai senatorëve skeptikë.

Në këtë moment kreu i qeverisë është ndërprerë nga një ovacion i fortë dhe është dashur ndërhyrja e kryetares së Senatit për të vënë situatën nën kontroll.

“Lëreni të flasë. Nuk jemi në stadium”, ka thënë Elizabeta Alberti Kazelati.

Në fjalimin e gjatë 75 minuta, Conte ka konfirmuar pikat e kontratës qeverisëse mes Ligës së Veriut dhe Lëvizjes 5 Yjet. Gjithashtu, ai ka konfirmuar përkatësinë e Italisë në NATO, por edhe orientimin e politikës së jashtme drejt Moskës. Lufta kundër mafias ka qenë një tjetër pikë në fokusin e tij.

“Kjo është një kontratë që mbron qytetarin. Për vendin tonë, tashmë fryn një erë e re”, ka thënë Conte./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!