Itali, Salvini kundër Berlusconit

schedule18:52 - 12 Mars, 2018

schedule 18:52 - 12 Mars, 2018

Lideri i Ligës së Veriut në Itali, Matteo Salvini ka kundërshtuar idenë e aleatit Silvio Berlusconi për të bashkëqeverisur me PD, duke ngritur dyshime për një krisje në radhët e së djathtës që synon të qeverisë vendin.

Kreu i së djathtës italiane, Matteo Salvini ka hedhur poshtë idenë e qeverisjes me partitë e qendrës së majtë, disa orë pasi aleati i tij Silvio Berlusconi kërkoi mbështetjen e Partisë Demokratike. Zgjedhjet e përgjithshme të 4 marsit kanë lënë pas një ngërç politik, me asnjë nga subjektet politike fituese në gjendje të formojë e vetme mazhorancën.

Aleancës së konservatorëve u duhen edhe 49 ulëse në dhomën e ulët të parlamentit, ndërsa Lëvizjes 5 Yjet, që garoi e vetme, i duhen 95. Secili prej grupeve mund të qeverisë nëse siguron mbështetjen e bllokut të majtë, i udhëhequr nga PD, që mori 112 në Parlamentin me 630 mandate. Gjithashtu, PD mund t’u sigurojë të dyja kampeve mazhorancë edhe në Senat.

Salvini, partia anti-emigrantë e të cilit la pas Forca Italian e Silvio Berlusconit në zgjedhje, refuzoi bashkëpunimin me ish-kryetarin e PD, Matteo Renzi, që dha dorëheqjen pas votimit, ose kryeministrin në ikje Paolo Gentiloni.

“Italianët nuk na votuan që të kthejmë Renzin në qeveri dhe as që të mbajmë Gentilonin në pushtet”, ka thënë Salvini. Ndërkohë, vetë PD, në orët e fundit ka kundërshtuar çdo aleancë të mundshme. “Ne do të qëndrojmë aty ku na vendosën votuesit, në opozitë”, deklaroi Graziano del Rio, një nga drejtuesit e partisë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!