Itali, “rivalët e betuar” afrojnë qëndrimet

schedule22:53 - 11 Prill, 2018

schedule 22:53 - 11 Prill, 2018

Liderët politikë që pretendojnë fitoren në zgjedhjet e muajit të kaluar në Itali, Di Maio dhe Salvini, kanë arritur një pakt për rifillimin e punës në Parlament dhe në dhomat e tij, një marrëveshje kjo që është kritikuar ashpër nga e majta.

Liderët e Lëvizjes 5 Yjet dhe Ligës së Veriut, në Itali, kanë arritur një marrëveshje për vënien në punë të dhomave të Parlamentit dhe presidencën e komisionit të posaçëm që do të merret me drejtimin e tij. Luigi di Maio dhe Matteo Salvini kanë rënë dakord në një bisede telefonike të zhvilluar të mërkurën, gjatë së cilës kanë pranuar votimin e deputetët të radikalëve, Nicola Molteni, për drejtimin e komisionit të posaçëm.

Por ndërkohë, teksa Di Maio e ka ftuar rivalin për krijimin e një qeverie të brezit të ri, siç e ka quajtur ai, Salvini ka bërë me dije se nuk do të pranojë verbërisht detyra të përkohshme, duke qenë se për momentin nuk ka një mazhorancë në Parlament. Ndërkohë, Lëvizja 5 Yjet ka bërë sulmin e radhës ndaj ish-kryeministrit Berlusconi, pjesë e koalicionit të djathtë me Ligën e Veriut.

Eksponenti i kësaj partie, Alessandro di Battista e ka cilësuar kreun e Forza Italia një “të keqe të madhe” dhe ka kritikuar Salvinin.

“Si mundet një njeri si Berlusconi të diktojë ende ligj? Çfarë mjetesh ka në duar, përveç mediave, për të bërë një gjë të tillë? Si mundet Salvini të flasë për legalitet dhe në të njëjtën kohë të ecë përkrah një njeriu të gatshëm për të kryer krime si Berlusconi?”, ka thënë Battista në një postim në Facebook.

Ndërkohë, demokratët kanë kritikuar ashpër paktin Di Maio-Salvini.

“Ata po bëjnë një marrëveshje për ndarjen e kolltukut të radhës, atë të kryesimit të komisionit të posaçëm të Dhomës së Parlamentit, pasi bënë të njëjtën gjë me Senatin. Të gjitha këto, kur vendi mbetet peng i zënkave të tyre për perspektivën e qeverisë”, thuhet në një komunikatë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!