Itali, orë vendimtare për qeverinë e re

schedule16:45 - 27 Maj, 2018

schedule 16:45 - 27 Maj, 2018

Kryeministrit të mandatuar në Itali i skadon afati sonte në mesnatë për të prezantuar dhe betuar qeverinë e re. Sëfundmi ka thyer heshtjen dhe kandidati për ministër Ekonomie, i cili i ka shfaqur hapur idetë e tij për një largim të vendit nga zona euro. Savona është shprehur se tashmë mbështet një Europë më të fortë, por dhe më të barabartë.

Orë vendimtare për Giuseppe Conte-n, të cilit i skadon afati sonte në mesnatë për të formuar ose jo qeverinë e tij. Afati, i ishte vendosur nga dy drejtuesit e koalicionit mes Lega Nord dhe Lëvizjes 5 Yjet, Matteo Salvini dhe Luigi Di Maio. Qëllimi i kryeministrit të mandatuar është që të prezantojë ekipin e tij qeverisës dhe të bëjë betimin përpara nisjes së javës së re. Conte kishte gjithçka gati prej ditësh, por një emër në qeverinë e tij nxiti polemika të shumta, pasi në lojë vendosej fati i Italisë në BE.

“Qëndrimet e mia janë të njohura, janë ato që gjenden në kontratën e qeverisë, me zbatimin e plotë të Traktatit të Mastrihtit. Dua një Evropë ndryshe, më të fortë, por më të drejtë”.

Paolo Savona, pas disa ditësh polemika, ka thyer heshtjen dhe qartëson qëndrimin e tij lidhur me Bashkimin Europian, në një deklaratë të publikuar në mediat italiane. Ekonomisti shpjegon se është e nevojshme të theksohet mendimi i tij për respektimin e institucioneve.

“Nuk kam ndërhyrë këto ditë ndaj polemikave që janë drejtuar kundër ideve të mija sa i përket BE-së, dhe në veçanti temës së Euros”, shton më tej Savona.

I nominuar si ministër i Ekonomisë, profesori i njohur në Itali, ka deklaruar më përpara se mbështet largimin e vendit nga zona Euro. Këto deklarata të tij ngjallën panik tek qytetarët, pasi ishin të bindur se Savona do të përmbushte qëndrimin e tij duke sjellë një largim të mundshëm të Italisë nga unioni monetar.

Ndërkohë, gjatë ditës ka ardhur dhe një reagim i liderit të Lega Nord sa i përket formimit të qeverisë së re. Salvini u shpreh optimist duke shkruar në Tëitter se nuk do të dorëzohet deri në momentet e fundit. Italia gjendet në krizë të thellë politike që prej zgjedhjeve të 4 Marsit dhe BE ka bërë thirrje vazhdimisht që kjo gjendje të tejkalohet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!