Ndërsa krerët e qeverisë italiane kanë zgjedhur të shkojnë kundër kursit të Bashkimit Europian për manovrat financiare, ministri i Ekonomisë u ka bërë thirrje atyre që të rishikojnë nivelin e defiçitit, pasi tejkalimi i limitit do të kishte pasoja.
Ministri italian i Ekonomisë, Xhovani Tria, u ka bërë thirrje dy partive të koalicionit qeverisës që deficitin buxhetor të vitit të ardhshëm ta mbajnë nën 2 për qind të prodhimit të brendshëm. Lajmin e kanë bërë të ditur burime qeveritare të cituara nga “Reuters”, të cilat nënvizojnë se niveli është më i ulët nga sa kishin planifikuar liderët e koalicionit.
Më herët gjatë së hënës, zëvendës kryeministri Mateo Salvini deklaroi se deficiti mund të arrijë në 2.9 për qind të prodhimit të brendshëm. Gjithashtu, liderët e Ligës së Veriut dhe Lëvizjes 5 Yjet deklaruan se do të kërkojnë dorë të lirë nga BE për ta rritur deficitin, duke shkuar kështu në drejtim të kundërt me kursin e Komisionit Europian dhe investitorëve, që dëshirojnë një kuotë më të ulët.
Pas vlerësimit të agjencisë së kreditimit “Fiç”, që uli parashikimet për nivelin e borxhit të Italisë, as Salvini e as Di Maio nuk u tërhoqën nga premtimet për ulje taksash dhe nxitjen e shpenzimeve publike.
Të hënën Salvini deklaroi se synon t’i rrisë shpenzimet, por pa tejkaluar limitin e BE-së për deficitin buxhetor prej 3 për qind të GDP-së. Vetëm një ditë më parë kishte qenë Di Maio që kishte deklaruar se partia e tij do të mbajë premtimin e bërë në fushatë, për ndihmë sociale për të varfërit.
“Nuk mund t’ua vëmë veshin kompanive të kreditimit dhe rimëkëmbjes së tregjeve dhe t’u ngulim thikën pas shpine italianëve. Për ne, italianët do të jenë gjithmonë të parët”, tha Di Maio.
Kjo lëvizje e Romës zyrtare ka gjasa të mërzisë Brukselin dhe investitorët, që kërkojnë nga Italia reduktimin e borxheve dhe jo rritjen e tyre./abcnews.al