Itali, Giuseppe Conte merr mandatin e kryeministrit

schedule21:02 - 23 Maj, 2018

schedule 21:02 - 23 Maj, 2018

Juristi Giuseppe Conte do të jetë kryeministri i ri i Italisë. Pasi ka marrë dritën jeshile nga presidenti Sergio Mattarella, Conte ka deklaruar se qeveria e tij do të rreshtohet përkrah qytetarëve, ndërsa Italia do t’i mbetet besnike politikave pro-europiane.

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, ka mandatuar pasditen e së mërkurës Giuseppe Conten për drejtimin e qeverisë së re të vendit. Conte ka qëndruar për më shumë se një orë e gjysmë në zyrën e kreut të shtetit dhe më pas, në fjalimin e tij të parë, ka deklaruar se e ka pranuar detyrën me pak rezerva.

“Presidenti më delegoi detyrën, të cilën e pranova me rezerva. Kontrata mbi të cilën ajo bazohet përfaqëson tërësisht pritshmëritë e italianëve për ndryshim”.

Ai ka theksuar se, do t’i japë jetë një qeverie që do të rreshtohet përkrah qytetarëve.

“Jam profesor dhe avokat. Kam mbrojtur kauzat e personave të ndryshëm dhe tani do të mbroj interesat e italianëve në të gjitha selitë e BE-së dhe ato ndërkombëtare”.

Në vijim të fjalimit, Conte ka lehtësuar shqetësimet e liderëve perëndimorë sa i takon prirjeve të ardhshme të Italisë, duke thënë se vendo do të mbetet besnik i politikave pro-europiane. Ai ka shtuar se tashmë mezi pret të nisë nga puna.

“Jam gati të jem kryeministër dhe do të punoj pa u kursyer, me angazhim dhe përgjegjshmëri maksimale. Ju faleminderit të gjithëve”.

Ai ka bërë me dije se në ditët e ardhshme do të takohet sërish me presidentin për të hequr rezervat për të cilat foli dhe për të diskutuar mbi emrat e qeverisë.

Ndërkohë, liderët politikë që propozuan emrin e tij, Luigi di Maio dhe Matteo Salvini kanë shprehur bindjen se Conte do të jetë njeriu i duhur për të sjellë ndryshimin e shumëpritur. “Gati t’i japim jetë Republikës së Tretë”, ka thënë Di Maio. Ndërsa Salvini është shprehur i paduruar për të nisur punën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!