Itali, familjet kundër funeraleve shtetërore në Gjenova

schedule10:48 - 17 Gusht, 2018

schedule 10:48 - 17 Gusht, 2018

Familjet e 17 nga 38 viktimat që humbën jetën nga rrëzimi i urës në Gjenova të Italisë kanë kundërshtuar funeralet shtetërore. Ata kanë preferuar t’i zhvillojnë ceremonitë e lamtumirës së fundit në mënyrë private.

Është dita e funeraleve private të viktimave të shembjes së urës Morandi në Gjenova. Shumë familje, në fakt, kanë kundërshtuar funeralet shtetërore që do të zhvillohen të shtunën me prezencën e presidentit Serxho Matarela. Janë 17 nga 38 viktima, të cilëve do t’u jepet lamtumira e fundit në mënyrë private. 7 të tjerë nuk kanë vendosur ende. “Nuk duam një ceremoni farsë”, u shpreh i zemëruar babai i një prej viktimave të shumta të urës Morandi.

“Djali im nuk do të bëhet një numër në listën e vdekjeve të shkaktuara nga dështimet italiane, unë do të siguroj se ka drejtësi për të dhe për të tjerët: nuk duhet të harrojmë”. Kështu shkruan në Facebook një tjetër prind. “Ne nuk duam një funeral fals, por një ceremoni në shtëpi, në kishën tonë në Torre del Greco. Është një dhimbje private dhe ne nuk kemi nevojë për të dalë në rrugë”, përfundoi ai.

Ndërkohë, edhe familje të tjera të goditura nga tragjedia e rëndë i kanë thënë jo funeraleve shtetërore në Itali. “Gjërat publike nuk më pëlqejnë”, u shpreh e ëma e një viktime 34-vjeçare. Funerali i saj do të mbahet të shtunën, por në mënyrë private. Gjenova është duke u përgatitur që të organizojë funeralin shtetëror në një situatë dramatike. Të enjten u zhvillua një takim në Prefekturë për të koordinuar ardhjen e Presidentit të Republikës Sergio Mattarella dhe drejtuesve të tjerë të shtetit./abcnews.al