Në seancën e votëbesimit të dytë, kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte ka bërë një seri gafash, të cilat janë publikuar të enjten nga mediat italiane. Gabimet e Conte përforcojnë tezën se ai është një kryeministër kukull, që merr urdhëra nga zëvendësit e tij, Di Maio dhe Salvini.
Nga njëra anë fjalime të bukura, duartrokitje dhe rrahje në shpatulla. Nga ana tjetër, gafa, keqkuptime dhe nënshtrime. Të gjitha këto e kanë vënë në dyshim ekzekutivin e ri italian pa filluar ende mirë nga puna. Ka qenë kryeministri Giuseppe Conte që, e thënë në thonjëza, ka lënë nam në seancën e votëbesimit të dytë në dhomën e ulët të parlamentit.
Fjalimit të personit që është propaganduar si “avokati i popullit” i ka paraprirë një dialog i shkurtër me kreun e Lëvizjes 5 Yjet, Luigi di Maio, njëri prej drejtuesve të koalicionit qeverisës. “Mund ta them këtë?”, e ka pyetur kryeministri zëvendësin e tij, gjithmonë duke kujtuar se mikrofonët ishin të fikur. “Jo!”, është përgjigjur Di Maio. Por ngjarjet fatkeqe për kryeministrin nuk kanë mbaruar me kaq.
Ai ka humbur shkresat e fjalimit, të cilat ka nisur t’i kërkojë në tryezë, por ka rënë sërish pre e një urdhërese të “zëvendësit” të tij. “Ik se t’i gjej unë!”, i ka thënë Di Maio njeriut që supozohet të jetë shefi i tij. Pas kësaj përgjigjeje, kreu i Lëvizjes 5 Yjet e ka kuptuar se mikrofonët kanë qenë të hapur, por dëmi është bërë. Opozita ka shpërthyer me ironi ndaj shefit të ekzekutivit.
“Shpresojmë të ketë qenë një lapsus nga emocionet, por ju nuk folët për prezumim pafajësie, por për prezumim të fajësisë”, ka thënë deputetja Mariastella Gelmini.
Edhe deputetë të tjerë kanë ironizuar prezantimin e Conte si “avokat i qytetarëve”, duke e quajtur avokat të zëvendësve të tij. Por nuk ka mbaruar me kaq. Graziano Delrio, deputet i opozitës, ka akuzuar kryeministrin se nuk di emrin e vëllait të presidentit Mattarella, i vrarë nga mafia në vitin 1980 në Siçili.
Duke shprehur dhembshurinë e tij për një sulm që iu bë kreut të shtetit në rrjetet sociale, Conte ka përkujtuar edhe atë që e ka quajtur “të afërmin” e presidentit. “Quhej Piersanti! Dhe ishte i vëllai”, i ka thënë Delrio kryeministrit. Sidoqoftë, fundi i fjalimit është pasuar nga duartrokitjet, që kanë zgjatur derisa drejtuesi i seancës i ka rënë këmbanës së vogël që sinjalizon fundin e seancës./abcnews.al