Itali, 5 Yjet dhe Liga e Veriut pranë marrëveshjes

schedule10:36 - 11 Maj, 2018

schedule 10:36 - 11 Maj, 2018

Partitë 5 Yjet dhe Liga e Veriut në Itali ndodhen pranë marrëveshjes për krijimin e qeverisë. Edhe pse nuk ka dalë ende emri i kryeministrit eventual dhe programi qeverisës, presidenti Mattarella ka bërë thirrje për një qeveri joarmiqësore ndaj BE-së.

Lëvizja 5 Yjet dhe Liga e Veriut në Itali kanë bërë hapa përpara drejt marrëveshjes për krijimin e qeverisë, në një kohë kur kanë kaluar mbi 2 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve. Në një komunikatë të përbashkët për shtyp, liderët Luigi Di Maio dhe Matteo Salvini kanë deklaruar se synojnë t’i japin përgjigje problemit që ka mbërthyer vendin që prej 4 Marsit, duke krijuar sa më parë një qeveri politike.

Për momentin nuk ka të dhëna se cili do të jetë drejtuesi i ekzekutivit, por mediat italiane aludojnë se ai do të vijë nga një palë e tretë. Ndërkohë, sapo palët të bien dakord për programin qeverisës, anëtarët e Lëvizjes 5 Yjet do të zhvillojnë një votim online për të verifikuar nëse ai përputhet me prirjet e saj. sidoqoftë, lideri Di Maio është shprehur optimist.

“Nuk mund ta fsheh gëzimin dhe lumturinë time që më në fund mund të nisim zgjidhjen e problemeve të Italisë”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Më herët gjatë ditës presidenti Sergio Mattarella, i cili pranoi të zgjaste afatin e negociatave duke dhënë kohë deri të dielën, u bëri thirrje palëve që të shmangin krijimin e një qeverie armiqësore ndaj BE-së dhe euros.

“Do të ishte një gabim i rëndë të kërkonim zgjidhje të shekullit të 19-të për problemet e shekullit të 21-të”, tha Mattarella.

Sidoqoftë, një marrëveshje eventuale mes palëve do të sillte detyrimisht populistët e Ligës së Veriut në pushtet, që kanë premtuar mbajtjen e një referendumi për nxjerrjen e Italisë nga eurozona. Premisat për këtë kanë shqetësuar investitorët, që i druhen euro-skepticizmit, të shprehur edhe nga 5 Yjet./abcnews.al