Ismail Kadare nderohet me çmim tjetër ndërkombëtar për letërsinë

schedule19:13 - 23 Tetor, 2019

schedule 19:13 - 23 Tetor, 2019

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare nderohet me çmimin prestigjioz ndërkombëtar Pak Kyong-ni për vitin 2019. Çmimi do t’i dorëzohet shkrimtarit më 26 Tetor në Korenë e Jugut, me një ceremoni të veçantë.

Ismail Kadare tha se ishte i lumtur që nderohej me çmimin prestigjioz. Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve koreano-jugorë në Qendrën e Shtypit në Seul, Kadare u shpreh edhe për fituesin e Nobelit në Letërsi për vitin 2019, shkrimtarin Peter Handke. Ai  tha se është dakord me mendimin e shumë kritikëve të tjerë se  Akademia Suedeze nuk duhet t’ia kishte dhënë këtë çmim.

“E njoh personalisht Handken dhe kam ngrënë drekë me të disa herë. Mendoj se ekziston një vijë që letërsia nuk duhet ta kalojë, por Handke e kaloi atë. Vrasja nuk duhet të pranohet nën asnjë rrethanë”.

Kadare tha se ka qenë vetë viktimë e censurës dhe shtypjes së qeverisë dhe se kjo mund ta ketë bërë të jetë kaq i ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje. Ai u shpreh se “Shqipëria ka qenë një ndër vendet më të izoluara në Evropë, një vend komunist nën diktaturë.”

“Shumica e shkrimtarëve në atë kohë ishin të censuruar nga qeveria. Në Kushtetutë thuhej se nuk mund të shprehje mendime nëse ato ishin kundër regjimit. Shumë nga shkrimtarët ishin në situata të rrezikshme dhe disa u burgosën. Jeta ime është e vetëm njëra nga ato mijëra raste” .

Çmimi Pak Kyong-ni do t’i dorëzohet Ismail Kadaresë më 26 tetor në qytetin Wonju të provincës Gangwon. Ky është çmimi i vetëm ndërkombëtar letrar që Koreja e Jugut u jep shkrimtarëve./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!