Islami tregon se pas Mini-Shengenit, qëndron Rusia e “Soros” dhe përfitimet e Ramës

schedule20:31 - 23 Dhjetor, 2019

schedule 20:31 - 23 Dhjetor, 2019

Debate të shumta ka shkaktuar nisma e mini-shengenit ballkanik nga ana e Serbisë, Shqipërisë Malit të zi dhe Maqedonisë së Veriut.

I ftuar për të dhënë mendimin e tij në studion e ABC News ishte ish-ministri i Jashtëm Kastriot Islami.

Përballë gazetarit Endri Xhafo, Islami tha se nisma e “Mini-shengenit” ballkanik, është një nismë që i shërben veçanërisht Serbisë, por që merr mbështetjen e individëve që qëndrojnë në krye të shteteve pjesëmarrëse.

Duke analizuar gjithë rrethanat dhe ngjarjet për këtë çështje, Islami tha se kjo nismë është e mbështetur nga Rusia dhe fondacioni “Soros”.

Ish-ministri jashtëm ndër të tjera theksoi se “Mini-Shengeni” , bëhet edhe si një qasje sfiduese ndaj vendimit të fundit të KE,  e cila refuzoi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ja çfarë tha në bisedën e tij, me gazetarin Endri Xhafo, ish-ministri i jashtëm Kastriot Islami: 

Kastriot Islami: Meqë nisma e ndryshimit të kufijve hasi në rezistencë tepër të madhe nga Gjermania atëherë sajuan ose konceptuan një nismë tjetër që është kjo e mini-shengenit, për të shmangur presionin  madh që vinte nga Gjermani për të njohur Kosovën. Po të isha kryeministri apo presidenti i Serbisë do e vrisja mendjen dhe mund ta mbështesja këtë nismë. Pra nga këndvështrimi i Serbisë nuk është e kritikueshme sepse ata duan të gjejnë një zgjidhje për të shmangur pamundësinë që kanë nga brenda për të marrë një rol në kuadër të konfigurimit të ri. Shqipëria sipas meje është futur në këtë lojë për arsye personale të Ramës, Pse? Kjo nismë nuk është e diskutuar as brenda qeverisë, as brenda parlamentit, as me presidentin, as me opozitën as me shoqërinë civile dhe as me median. Më e rënda është që nuk është diskutuar me asnjë nga institucionet në Kosovë. Kosova ka një vend të veçantë në këtë nismë. Kosova akoma nuk ka një status sepse nuk është njohur nga Serbia. Si mund të ulet në një tavolinë ku diskutohet për një nismë ku të gjitha vendet duhet të jenë të barabarta dhe një nismë gjithëpërfshirëse kur Serbia ka 36 marrëveshje me Kosovën të bëra në prezencën e BE dhe asnjë nuk është zbatuar sepse Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe për më tepër nuk ka kërkuar as minimumin e ndjesës për ngjarjet që kanë ndodhur gjatë regjimit të Millosheviçit. Serbia është në një fazë që sipas interesave të saj ka marrë një nismë por që në këtë nismë duhet të bënte një veprim e cila pastaj mund ta vinte në pozicion të vështirë Kosovën, që të njihte Kosovën si shtet i pavarur dhe pastaj të bënte ftesën në tryezë si shtet i pavarur. Nuk mundet që 5 shtetet të jenë të pavarur dhe Kosova jo.

Endri Xhafo: Ju keni shkruar se kjo nismë është mbështetur nga Rusia dhe nga fondacioni “Soros”, mund të na shpjegoni diçka?

Kastriot Islami: Rusia nuk ka mbështetur askënd në mënyrë eksplicitë por ka një shprehje gjenerike që do të mbështetë çdo nismë që është në interes të Serbisë. Kjo nismë që mendohet se është në interes të Serbisë pasi Vuçiç në intervista të ndryshme ka thënë se kjo nismë e vendos Serbinë në qendër, natyrisht që Rusia do e mbështesë këtë nismë. Pra kjo është një nismë me origjinë serbe por e mbështetur në mënyrë indirekte nga Rusia. Kjo është një marrëdhënie e deklaruar mes tyre. Për sa i përket “Soros”, unë kam parë që në të 3 takimet që janë bërë, qoftë në Novisad, qoftë në Ohër, qoftë në Tiranë, “Soros” ka qenë prezent. Konkretisht djali i tij ka qenë prezent që tregon se ka interes për këtë nismë. Ideja për hamendësimet apo qëllimet vijnë nga fakti që nuk ka një transparencë për përmbajtjen, gjithmonë një nismë politike ka përmbajtjen, ka perceptime, a dhe synime të cilat nëse përmbajtja nuk ka transparencë fillojnë perceptimet dhe aq më tepër debati mbi synimet. Jemi në fazën qe nuk kemi asgjë të qartë se cili është programi i kësaj nisme. Përse është “Soros” i interesuar për këtë nismë?Sepse është i interesuar të ruajë ndikimet e tij në ato vende ku ka patur influencë. Në Shqipëri ka patur influencë nëpërmjet qeverisë. Ka ndërtuar një ndikim edhe sa i përket lobistëve,  “Soros” vërtet është një biznesmen, por është dhe një faktor i rëndësishëm në lojën politike të SHBA, dmth kritikohet si pjesë e rëndësishme e “deep state”. Zaev është edhe ai një produkt i mbështetjes së fondacionit “Soros”, të kësaj pjese të SHBA, madje saqë në disa vende kundërshtare të SHBA e konsiderojnë ardhjen e Zaev nëpërmjet një revolucioni me ngjyrë, në pushtet. Kështu që të tre janë djemtë e dashur të “Soros” dhe ndërkohë “Soros” do që ta ruajë këtë influencë. Meqë të tre kërkojnë, për arsye të ndryshme,  të marrin pjesë në këtë nismë ai është i gatshëm ti mbështesë. Mini-shengeni erdhi menjëherë pas refuzimit nga BE për hapjen e negociatave, që ishte si një nismë sfiduese dhe përgjigja pozitive apo negative lidhet me një qëndrim të Francës.

Endri Xhafo: Pse Shqipëria duhet të ruhet nga Mini-shengeni ballkanik?

Kastriot Islami: Me rënien e individit nisma do të bjerë.  Disa arsye; së pari shqiptarët, kosovarët, maqedonasit,  duan të shkojnë në Bruksel vetë dhe jo nëpërmjet Beogradit.  Kosova ka disa çështje që duhet ti zgjidhi dhe më e rëndësishmja ndër to është statusi që Serbia duhet ta njohë. Kosovarët nuk mund të jenë dakord me një nismë që është jo gjithëpërfshirëse. Kjo është bërë me mbështetjen e “Soros” i cili mendon të ruajë ndikimin e tij mbi këtë lidership aktual. këta e kanë bërë si një qasje sfiduese ndaj vendimit të fundit të KE si shmangie e kësaj shuplake që i dha KE./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!