Isko synon Botërorin me Spanjën

schedule18:55 - 28 Mars, 2018

schedule 18:55 - 28 Mars, 2018

Isko është padyshim ylli më i madh i Spanjës në prag të Botërorit. Gjithsesi, talenti i Realit nuk ishte aspak i kënaqur, edhe pasi shënoi 3 gola ndaj Argjentinës.

Vetëm gjigandë si Pele, Sushiç, Rivaldo apo Ronaldo i kishin shënuar 3 gola kësaj skuadre. Në gati 120 vjet histori, Argjentina duhej të njihte edhe turpërimin me emrin Isko.

Ylli më i shkëlqyer i momentit në kombëtaren e Spanjës dha paraqitjen më të madhe të karrierës në stadiumin “Uanda Metropolitano”, në suksesin e padëgjuar, 6-1.

25-vjeçari është padyshim shpresa kryesore e tifozëve spanjollë, që kombëtarja e tyre ta fitojë sërish titullin botëror. Gjithsesi, Isko po kalon një moment, që nuk do të donte t’ia uronte askujt, madje as armiqve të tij. Menjëherë pas ndeshjes, ai nuk mundi të mos bënte një kritikë të ashpër.

“Trajneri i kombëtares ma tregon besimin që ka tek unë, duke më dhënë minuta për të luajtur, – u shpreh ai, – në Madrid nuk kam besimin, për të cilin ka nevojë një futbollist, por ndoshta problemi jam unë që nuk ia kam dalë për ta fituar. Duhet, pra, që të vazhdoj të punoj, për të bindur Zidanin”.

“Kur nuk ke vazhdimësi në klub, atëherë janë ndeshjet e kombëtares që të mbajnë në jetë, – vazhdoi Isko, – kam shumë dëshirë të tregoj edhe tek Reali se jam një futbollist i mirë”.

Me gjasë, një krizë mund të shpërthejë tek Reali dhe pikërisht atëherë kur nuk duhet, në prag të dueleve në Champions ndaj Juventusit.

Mediat spanjolle nuk e lanë rastin t’i shpëtonte.

Gazeta “Marka”: Isko, një vepër arti! Kur nuk ke vazhdimësi në ekipin tënd, kombëtarja të mban gjallë!

Gazeta “AS”: Isko dhe Ole! Në Madrid nuk kam vazhdimësinë që i duhet një futbollisti!

“Skaj Sports” shkruan se Isko fshikulloi Zidanin pas tregolëshit shënuar për Spanjën.

Flitet se Zidane ka vendosur ta largojë Iskon, i cili në të vërtetë është një talent i madh. Ai nisi të luante futboll që kur ishte fëmijë me ekipe pa emër si Benalmadena e Atletiko Benamiel.

Më pas, nisi të bëhej i shquar tek Valencia e Malaga, duke nxitur presidentin e Realit, Florentino Perez, që të paguante 30 milionë euro për kartonin e tij.

Që nga viti 2013 ndodhet në Madrid, ku ka fituar 12 trofe, përfshi edhe 3 Champions, por në një ekip plot me kampionë, e ka pasur të vështirë.

Pakënaqësia e Iskos është e dukshme. Pak javë më parë, e tregoi hapur kur u vonua 32 sekonda për të dalë nga fusha, kur Zidane e zëvendësoi në ndeshjen ndaj Espanjolit./abcnews.al