Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me ngjarjen e ndodhur këtë të shtunë në Mal të Zi, ku janë dhunuar tre të rinj shqiptarë.
Përmes një njoftimi, Policia e Shtetit deklaroi se ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, në vendin e quajtur “Zelenika”, në afërsi të qytetit të Herceg Novit.
Shtetasit shqiptarë Klodian Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaci kanë qenë duke lëvizur me një automjet me targa gjermane dhe befas janë sulmuar pa asnjë shkak, nga një grup prej 6 ose 7 personash, të cilët kanë goditur fillimisht automjetin dhe më pas kanë sulmuar fizikisht shtetasit shqiptarë, duke iu shkaktuar dëmtime fizike në pjesë të ndryshme të trupit.
Të tre shtetasit shqiptarë janë paraqitur në Policinë lokale, në Herceg Novi, ku fillimisht janë trajtuar nga ana e mjekut ligjor, i cili ka konstatuar dëmtime të shkaktuara nga goditjet fizike.
Nga ana e Policisë malazeze iu është kërkuar shtetasve shqiptarë që të bënin kallëzim për ngjarjen, por fillimisht ata nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim. Ata kanë pranuar të bëjnë kallëzim vetëm në prezencë të avokatit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin dhe Drejtori i Departamentit për
Marrëdhëniet Ndërkombëtare, në Policinë e Shtetit, kanë komunikuar me homologët në Malin e Zi, për t’u njohur me rrethanat e kësaj ngjarjeje dhe për t’iu ofruar ndihmë shtetasve shqiptarë.
Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje, Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka komunikuar me ministra të qeverisë së Malit të Zi, për të marrë masa që autorët e kësaj ngjarjeje të kapen dhe të vihen përpara drejtësisë./abcnews.al