“Ishin 3, 2 kanë ikur, 1 ka mbetur”, Rama në çeljen e Teatrit në Universitetin e Arteve: U ula se mu duk vetja shumë i vjetër

schedule12:10 - 21 Tetor, 2023

schedule 12:10 - 21 Tetor, 2023

Salla e teatrit në Universitetin e Arteve në Tiranë çeli dyert për studentët, artistët dhe dashamirësit e artit, pas zbatimit të suksesshëm të projektit për rikonstruksionin e saj. Falë bashkëpunimit të frytshëm dhe ekspertizës me specialistë nga Universiteti i Firences, përfaqësues të Kooperacionit Italian, TAP, Universitetit të Arteve dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, u arrit që Salla e re, jo vetëm t’i përgjigjet standardeve ndërkombëtare dhe kërkesave të artistëve, por nga ana tjetër, të ruhet i paprekur projekti fillestar i saj, një stoli e arkitekturës e viteve ’30-’40”, kur ajo është ndërtuar.

Godina e Akademisë së Arteve, sot Universiteti i Arteve është një monument i trashëgimisë kulturore, i llojit “Arkitekturë”.

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe ish-student e më pas ish-pedagog i Akademisë së Arteve mori pjesë në ceremoninë e dedikuar, teksa u shpreh se është përmbushur më së miri amaneti i historisë së kësaj salle, monument kulture, prej nga, shumë talente shqiptare u ngjitën në majat e artit botëror.

Fjala e plotë:

“Nuk do marr fare kohë sepse i takon të tjerëve të flasin më shumë, plus që jam i bindur se nuk ju ka marrë malli, kështu që u ula sepse mu duk vetja shumë i vjetër kur tha Kastrioti ishin tre, dy kanë ikur, një ka mbetur. Edhe po përfitoj nga koha që ka mbetur që të mos rri në këmbë.

Më vjen shumë mirë që ne sot e kemi përmbyllur një amanet do thosha dhe për hir të së vërtetës kjo punë jo shumë e lehtë që është bërë këtu, sepse nuk është një sallë e re, nuk është as një sallë e vjetër e zakonshme, që është rikonstruktuar, por është një monument kulture për të cilin është dashur të bëhet një qëmtim shumë i imët në arkiva dhe pastaj është dashur të bëhet një punë shumë e kujdesshme për ta rikthyer në të gjithë përmasën e vet, ashtu si duhet.

Është në një kuptim të drejtpërdrejtë amaneti i historisë së kësaj salle, por i parë pak më ndryshe. Jo si një histori që ka përfunduar, por si një histori që vazhdon dhe jo si një histori emrash, por si historia e një hapësire që ka qenë qysh në krye të herës hapësira e pasionit, hapësira e ëndrrave, hapësira e dëshirave të patregueshme për nga forca e tyre, hapësira e takimeve mes atyre që e zotëronin skenën dhe atyre që ëndërronin ta zotëronin skenën dhe hapësira e një vendi që brenda këtyre përmasave shumë modeste, i jepte në mënyrë të vazhdueshme përmes tingujve, përmes fjalëve, përmes kërcimit, përmes pjesëve të vëna në skenë apo vetë atyre që ngjiteshin në skenë jo për të luajtur teatër, por për të folur me të tjerët mesazhin e të ardhmes, mesazhin e shpresës tek e reja, mesazhin e forcës për të tejkaluar muret dhe për të tejkaluar edhe shumë e shumë pengesa për të cilat unë nuk do të flas sot. Nuk do të flas sot për të shkuarën.

Dua vetëm të them që sot kjo sallë i vihet në dispozicion atyre që kanë misionin t’u përcjellin të tjerëve eksperiencën e tyre dhe atyre që vijnë, me misionin që të krijojnë eksperiencën e re dhe të gjithë së bashku të vazhdojnë të mbajnë gjallë dhe të fuqizojnë pasionin e këtij vendi, pasionin krijues, pasionin interpretues, pasionin komunikues.

Dhe e fundit që dua të them është se kjo sallë sot plotëson edhe një nevojë të shumë e shumë viteve, për të qenë edhe vetë, po aq rrezatuese dhe po aq mbresëlënëse sa të gjitha ato talente që nga kjo sallë u ngjitën në majat e botës, që e nisën nga kjo sallë për të mahnitur miliona spektatorë nëpër botë.

Prandaj me një shprehje mirënjohjeje për gjithçka unë personalisht mora nga energjia e kësaj salle që pastaj shpërndahet përmes atyre që hyjnë tek shumë të tjerë që i takojnë ata që dalin dhe me kënaqësinë që mu dha mundësia që t’i kthej këtij vendi, që është një vend i shpresës dhe i ëndrrave, shumë pak, por sidoqoftë diçka nga aq shumë sa ai vend më dha, ju uroj me gjithë zemër gjithë të mirat të gjithë atyre që sot janë këtu dhe të gjithë atyre që njësoj si këta janë në këtë oaz të shpresës dhe të pasionit, në mënyë që çdo ditë e më shumë, çdo vit e më shumë, çdo dekadë e më shumë në të gjitha kohërat e reja, Shqipëria të vazhdojë të jetë gjithnjë krenare sa herë që të bëhet fjalë për njerëz që janë ngjitur në këtë skenë apo që kanë patur lidhje me këtë sallë apo me këtë vend të shenjtë  të shpresës dhe të pasionit.

Faleminderit!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!