“Ishalla s’po bie tërmet”, në rrugën e Torovicës bien shkëmbinjtë

schedule11:14 - 24 Shtator, 2019

schedule 11:14 - 24 Shtator, 2019

Reshjet me erë të fortë gjatë natës kanë shkaktuar probleme në shumë zona të vendit. Në rrugën e Torovicës nga mali kanë rënë shkëmbinj, por për fat nuk ka patur dëme në njerëz.

Njëri pas tjetrit tre shkëmbinj të mëdhenj përfunduan në rrugën Lezhë-Torovicë. Gurë të vegjël vazhdojnë të rrëshqasin nga mali. Reshjet e shiut shoqëruar me erë të fortë kanë rikthyer fenomenin në malin e Torovicës. Përmasat e gurëve janë të mëdha dhe kanë afruar panik për shoferët.

Banorët të frikësuar kërkojnë të ndërhyhet sa më shpejt. Por askush nuk beson se në kohë reshjesh gurët do mungojnë.

“Duhet ta shikojë mjedisi, shteti këtë punë. Problemet janë tek populli. Populli është i frikësuar për këtë rrugë”.

“Do bien të tjerë sipas shirave, kohës”.

“Kemi frikë, por këtë rrugë kemi”.

“Ishalla s’po bie tërmet”.

Tre viktima u regjistruan kohë më parë në këtë rrugë. Një shtëpi u godit por fatmirësisht anëtarët e familjes shpëtuan mrekullisht.

Emergjencat civile kanë hartuar një plan ndërhyrjeje sëbashku me forcat xheniere të ushtrisë, por zbatimi i tij ende nuk është kryer. Ndërsa nisi sezoni i shirave, për banoret e Torovicës ka nisur edhe sezoni i rënies së gurëve./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!