Nga Gordon Brown “The Indipendent”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Me kërkesën e 39 vendeve, dhe me nismën e Karim Khan, prokuror në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC), Vladimir Putin është tashmë nën hetim për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit.
Kjo ndodh për shkak të shënjestrimit të civilëve të pafajshëm, përdhunimeve, torturave dhe gjymtimeve, bombardimeve të spitaleve, shkollave dhe ndërtesave publike, shkeljes së korridoreve të caktuara humanitare, për të cilat ishte rënë dakord të kishte armëpushim. Dhe nëse janë të sakta raportet e fundit, edhe për përdorimin e armëve kimike të ndaluara. Këtë javë, presidenti amerikan Joe Biden ka akuzuar për herë të parë Rusinë për gjenocid, një akuzë që historikisht Amerika ka hezituar ta bëjë, madje edhe kur është pretenduar për spastrime etnike në pjesë të tjera të botës.
Të hënën, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u kërkoi partnerëve ndërkombëtarë që të mbështesin ngritjen e një një gjykate të posaçme ushtarake ndërkombëtare për të hetuar krimet e luftës të kryera nga agresorët rusë në territorin e Ukrainës.
Sot publikojmë tekstin e një aktakuze penale kundër presidentit rus Vladimir Putin për fillimin dhe vazhdimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Dokumenti ynë tregon natyrën dhe peshën e çështjes që prokurorët e krimeve të luftës mund ta paraqesin para një gjykate ndërkombëtare.
Ndërkohë një boshllëk në ligj lë të kuptuar se ICC nuk mund të pranojë një çështje kundër agresionitrus – sa kohëqë as Ukraina dhe as Rusia nuk janë nënshkruese të statutit të gjykatës – dhe për zgjidhjen e kësaj çështje mund të krijohet një gjykatë speciale me kërkesë të Ukrainës dhe shteteve mbështetëse.
Me inkurajimin e qeverisë së Ukrainës, 1.7 milionë njerëz kanë firmosur deri më tani një peticion për këtë qëllim. Nismës i janë bashkuar 50 ish-presidentë dhe kryeministra dhe avokatë ndërkombëtarë nga çdo kontinent. Dhe për ata që thonë se një gjykatë e tillë nuk mund të ngrihet ndonjëherë, dhe se përpjekja jonë është e destinuar të dështojë, le t’u kujtojmë këtyre njerëzve se Gjyqi i Nurembergut ndoqi penalisht pasardhësit e Hitlerit.
Po ashtu janë ndjekur penalisht edhe krimet e luftës në Jugosllavi, Ruandë dhe Liberi. Ish-udhëheqësi liberian Çarls Tejlor vuan sot dënimin me 50 vite burg për krime lufte në një burg britanik.
Ndërsa grumbullimi i provave të tilla për t’i lidhur drejtpërdrejt urdhrat e Putinit me tmerret me terren, do të kërkojë muaj të tërë kërkimesh të mundimshme dhe ekspertiza mjeko-ligjore, krimi i agresionit si akt, që nisi disa kohë më parë me planifikimin dhe përgatitjen e një pushtimi, mund të vërtetohet me dokumentacione që janë lehtësisht të arritshme dhe plotësisht i disponueshme. Siç ka argumentuar edhe autori i kësaj nisme, profesor Philippe Sands, provat për ngritjen e akuzave kundër Putinit do të jenë gati brenda disa javësh. Agresioni është krimi origjinal i Putinit siç përcaktohet edhe në modelin e aktakuzës “Prokurori kundër Presidentit Vladimir Putin”, përgatitur nga Ryan Goodman, profesor i drejtësisë në Universitetin e Nju Jorkut dhe Rebecca Hamilton, profesore e asociuar e drejtësisë në Universitetin Amerikan në Uashington.
Kërkesa për gjykimin e krimeve të luftës në Ukrainë është bërë në përputhje me deklaratën që bënë vendet aleate në Londër në vitin 1942, kur në procesin që përgatiti Gjyqet e Nurembergut të vitit 1946, ata u zotuan ta nxirrnin Hitlerin dhe rrethin e tij të ngushtë në gjyq për agresionin e tyre, të cilin ata e quajtën si “krime kundër paqes”.
Pikërisht në Nuremberg, agresioni u përkufizua jo vetëm si një krim ndërkombëtar, por si “krimi më i lartë ndërkombëtar”, si krimi që “përmban të keqen e grumbulluar të së tërës”. Është një nga ironitë e historisë, që ideja e sjelljes së liderëve kriminelë përpara një gjykate ndërkombëtare u farkëtua në Bashkimin Sovjetik.
Ishte avokati rus, Aron Moishe Trainin, ai që hodhi bazat konceptuale për përkufizimin e atëhershëm dhe tani të krimit të agresionit. Ndërsa aktakuza e publikuar sot është kundër presidentit Putin, përkufizimi i krimit të agresionit mund të zbatohet edhe për zyrtarë të tjerë të lartë rusë, të cilët ishin – sipas Statutit të Romës – në “pozitën për të ushtruar në mënyrë efektive kontrollin tërësor ose për të drejtuar veprimet politikeapo ushtarake të një shteti”.
Kjo akuzë mund të ngrihet gjithashtu kundër presidentit të Bjellorusisë Alexander Lukashenko dhe zyrtarëve të tjerë të lartë për “veprimin e një shteti për të lejuar territorin e tij, të cilin e ka vënë në dispozicion të një shteti tjetër, që të përdoret nga ky i fundit për kryerjen e një akti agresioni kundër një shteti të tretë”.
Masakrat e reja të raportuara këtë javë, ndërsa Putini po kryen krime edhe më të dëshpëruara dhe barbare, e kanë bërë më emergjent dhe më thelbësor veprimin e faktori ndërkombëtar kundër tij. Tani aleatët e Ukrainës duhet të zgjasin sanksionet dhe ndalimet e udhëtimeve kundër Rusisë dhe zyrtarëve rusë.
Po ashtu, ata duhet të intensifikojnë ndihmën humanitare dhe ushtarake, duke siguruar tanke dhe jo vetëm raketa antitank. Por edhe në ato kushte, Vladimir Putin mund të ndjejë se mund të veprojë pa u ndëshkuar.
“Kur njerëzit e këqij kombinohen së bashku, edhe të mirët duhet të bëhen bashkë me njëri-tjetrin”- shkroi Edmund Burke më shumë se 200 vjet më parë, “përndryshe këta të fundit do të bien një e nga një, gjë që do të ishte një sakrificë e pamëshirshme në një luftë të përçmuar”.
Prandaj ka ardhur koha të përçojmë mesazhin se ne nuk do të qëndrojmë mënjanë, por do të qëndrojmë të bashkuar dhe do ta ndjekim Putinin në të gjithë botën, dhe do të depërtojmë deri në rrethin e tij të ngushtë, njerëz që duhet të paralajmërohen se po ndiqen për krime në të cilët ata kanë qenë bashkëpunëtorë.
Ndoshta edhe më e rëndësishmja: një marrëveshje e hershme për një aktakuzë të tillë, do t’i dërgonte një mesazh popullit të Ukrainës, se e gjithë bota është ngritur në emër të tyre, dhe se ne nuk do të lejojmë që krimet e luftës të mbeten të pandëshkuara apo të pa ndjekura penalisht. Dhe ashtu siç e dëshmuam në Nuremberg, ne do të marrim vendimet e nevojshme për të siguruar drejtësi.