Ish-deputetja tregon si do të pranojë Rama propozimet e opozitës për reformën zgjedhore

schedule18:04 - 24 Tetor, 2019

schedule 18:04 - 24 Tetor, 2019

Të gjitha palët politike u vunë në punë sot për reformën zgjedhore. Një pjesë, ajo parlamentarja u mblodh në Kuvend, ndërsa opozita në selinë e Partisë Demokratike. Ish-deputetja e LSI-së, Silva Caka, deklaroi këtë të enjte se opozita dhe mazhoranca mund të ulen të dialogojnë nëse plotësohen 5 kushtet që ajo i ka dërguar.

Por sipas Cakës, pengesa e parë që duhet kaluar për të arritur deri aty është dorëheqja e Damian Gjiknurit si bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore.

Ish-deputetja, e cila është pjesë e grupit të punës të opozitës që po merret me reformën zgjedhore, tha gjithashtu se propozimi final që do t’i jepet Ramës do të kundërshtohet nga ai. Megjithatë në fund do ta pranojë atë për shkak të presionit për mos-hapjen e negociatave, vendosjen e kushteve dhe veton që do vendosin institucionet ndërkombëtare.

“Në kushtet ku jemi unë besoj që do të ketë shumë kundërshtime sepse është e vështirë që të kafshosh veten me dhëmbë. Në momentin që të vjen një kërkesë për të dekriminalizuar listat e tuaja do ta kesh të vështirë sepse i ke mbushur plot me kriminelë, me njerëz që financojnë fushatat, plot me njerëz që financojnë kandidatët e tyre. E shoh të vështirë që Edi Rama të pranojë shumë prej kushteve tona, por jam e bindur që edhe falë ndikimit dhe i vendosur në presionin e JO-së që morëm dhe prej kushteve që janë vendosur dhe do të vendosen do duhet të pranojë. Edhe nëse ai nuk i pranon do të jenë atëherë do të jenë institucione evropiane, BE, OSBE apo edhe shtete të caktuara që kanë në dorë një veto për çelje negociatash dhe do ta imponojnë më vonë produktin që do të nxjerrë ky grup”, tha Caka.

Ish-deputetja paralajmëroi se shumë shpejt do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme dhe vendore. Sipas saj, mazhoranca po zvarrit ngritjen e gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.

“Besoj se do të kemi së shpejti do të kemi shumë shpejt dy procese zgjedhore, zgjedhje të parakohshme dhe zgjedhje vendore. Edhe raporti i ODIHR për votimet moniste të 30 Qershorit , por edhe kushtet e Bundestagut nuk kanë vënë në ndonjë moment dekretet e presidentit. Shprehin se do të jetë Gjykata që do të vendosë për ligjshmërinë e këtyre dekreteve dhe legjitimitetin e atyre zgjedhjeve. Kam bindjen e plotë se Gjykata Kushtetuese mund të dojë shumë kohë. Deri tani është vetëm një anëta, por Kuvendi është duke u përpjekur që ta zgjasë sa më shumë në kohë edhe pse i kanë shkruar propozimet nga KED. Unë personalisht e kam të qartë që Grmoz Ruçi, Edi Rama, po përpiqen të zvarrisin Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Kjo do krijohet një ditë dhe kur të krijohet do të japë një verdikt që do i japë të drejtë dekreteve të Presidentit dhe do shpallen të pavlefshme zgjedhjet e 30 Qershorit dhe ne do hymë në zgjedhje vendore sërish”, tha Caka./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!