Udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei akuzoi sot SHBA-në se po “drejton” operacionet e Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës.
“SHBA është padiskutim bashkëpunëtor në krimet që po kryhen në Gaza. Ata kanë në duart e tyre gjakun e të shtypurve, fëmijëve, të sëmurëve, grave dhe të tjerëve,” tha Khamenei në një fjalim nga Teherani.
Presidenti iranian Ebrahim Raishi akuzoi SHBA-në si “bashkëpunëtorë në krimet” e Izraelit më 18 tetor, ditën kur presidenti amerikan Joe Biden vizitoi Izraelin.
Më 10 tetor, Khamenei mohoi se vendi i tij ishte i përfshirë në sulmin e nisur nga Hamasi më 7 tetor kundër Izraelit, por nënvizoi mbështetjen e Teheranit për Palestinën.
“Kombi palestinez do të fitojë dhe bota e ardhshme është ajo e Palestinës, jo ajo e regjimit sionist”, theksoi ai.
Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken lëshoi një paralajmërim të rreptë për Teheranin të martën, duke thënë se SHBA do të përgjigjet “vendimisht” ndaj çdo sulmi të nisur nga “Irani dhe ata që punojnë me të” në Lindjen e Mesme.
/abcnews.al