Irani refuzon propozimet e Trump dhe Macron

schedule14:00 - 25 Prill, 2018

schedule 14:00 - 25 Prill, 2018

Irani ka refuzuar propozimet e Trump dhe Macron për rishikimin e marrëveshje bërthamore. Sipas presidentit Rouhani, askush nuk ka të drejtë të bëjë ndryshime tek akordi i firmosur nga 7 vende.

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani vendosur në pikëpyetje legjitimitetin e përpjekjeve nga SHBA dhe aleatëve Europianë për të ndryshuar marrëveshjen bërthamore mes palëve. Kjo erdhi pasi lideri amerikan Donald Trump dhe ai i Francës, Emmanuel Macron njoftuan të martën se po punojnë për një marrëveshje të re, që do të zgjerojë dhe zgjasë kushtet e akordit të 2015-ës.

Por Rouhani nënvizon se ata nuk kanë asnjë të drejtë që të rinegociojnë marrëveshjen 7-palëshe. Ai gjithashtu e përkufizoi Presidentin Amerikan Donald Trump si një “tregtar” i cili nuk është i kualifikuar për të komentuar mbi traktatet globale. “Ju nuk keni ndonjë të kaluar në politikë apo me ligjet. Ju nuk keni formim për traktatet ndërkombëtare”, nënvizoi presidenti Iranian.

Ndërsa më tej ai shton: “Sëbashku me liderin e një vendi Europian, amerikani thotë: ‘Ne duam të vendosim për një marrëveshje’ të arritur nga 7 palë. Për çfarë? Me çfarë të drejte”. Gjithashtu Rouhani thekson se Irani ka treguar vullnetin e tij të mirë për botën kur nënshkroi akordin dhe ka provuar se nuk dëshiron që të posedojë armë të shkatërrimit në masë.

Trump ka njoftuar se SHBA do të rivendosë sanksionet ndaj Teheranit të pezulluara sipas marrëveshjes më 12 maj, përveç nëse Kongresi dhe autoritetet evropiane rregullojnë “gabimet e tyre të tmerrshme”. Zyrtarët amerikanë dhe evropianë raportohen se kanë bërë përparim në dy kërkesat e tij – që Irani t’u japë inspektorëve ndërkombëtarë qasje të menjëhershme në të gjitha vendet që ata duan të shohin dhe për Iranin të ndalojë zhvillimin dhe testimin e raketave balistike. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!