TIRANË- Nga rrjetet sociale, tek inteligjenca artificiale dhe animimet. Irani ka filluar një fushatë të gjerë ndërkombëtare për të nxitur reagimet kundër investimit në Zvërnec dhe Shqipërisë.
Kësaj radhe jo me sulme kibernetike dhe media, por rrjete sociale, pas të cilave fshihen profile me mijëra shikues, që synim kanë denigrimin e familjes Trump, SHBA, Izraelit dhe Shqipërisë.
Në krye të kësaj fushate qëndron profili me emrin “Iran Military”, çdo ditë aktive për protestat në Zvërnec.
Parullat e këtij profile si “Albania is not for Sale”, shfaqen tashmë edhe në protestat në bulevard, duke provuar se disa protestues shqiptarë kanë rënë pre e kësaj fushate.
View this post on Instagram
Kjo faqe konsideron çiftin Ivanka Tramp-Xhared Kushner si kolonizatorë të Shqipërisë, kurse Donald Tramp si një skllav të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
Një tjetër faqe, Iran on War, përdor aplikacionin e lojërave të animuara, Lego, për të krijuar historinë për investimin në Zvërnec.
Sipas videove të animuara, Kushner dhe Ivanka Tramp janë kapitalistë që vijnë me valixhe me para në Shqipëri, kurse Trump ndan në tryezë pronat që do të blejë familja presidenciale.
Kurse shqiptarët janë ngritur në protestë kundër familjes Trump, nga ana tjetër sipas videove të animuara, protestat në Zvërnec paralelizohen identike si protestat në Iran që kundërshtojnë pushtimin nga SHBA.
Një tjetër profil, përdor inteligjencë artificiale për të shfaqur video të rreme, se në Vlorë protestohet masivisht kundër Izraelit. Ndërkohë përveç disa protestave në ditët e para në Zvërnec kur gardhi ishte ende pa hequr, në Vlorë nuk është mbajtur asnjë protestë.
Të njëjtat faqe, nuk përmbajnë asgjë për regjimin e Ajatollahëve në Iran, por vetëm sulme ndaj Trump, familjes së tij, Izraelit dhe tashmë edhe kundër Shqipërisë./abcnews.al


