Çështja e Iranit në “Botërorin 2026” ka gjetur një zgjidhje përfundimtare.
Kombëtarja iraniane do të luajë sipas programit në finalet e Kupës së Botës, por ndryshe nga sa ishte parashikuar, ajo do të qëndrojë në Meksikë, pas refuzimit të qeverisë amerikane për ta pritur atë në Tucson, Arizona gjatë gjithë kohëzgjatjes së turneut.
Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum tha se FIFA kontaktoi qeverinë e saj, pasi zyrtarët amerikanë e nuk donin që ekipi i Iranit të qëndronte në vend gjatë turneut, edhe pse të tre ndeshjet e fazës së grupeve janë planifikuar të luhen në Shtetet e Bashkuara.
“Nuk kemi asnjë arsye t’u mohojmë atyre mundësinë e qëndrimit në Meksikë,” tha Sheinbaum gjatë një konference për shtyp.
Irani do të luajë dy ndeshjet e para në Los Anxheles kundër Zelandës së Re më 15 qershor dhe Belgjikës më 21 qershor, ndërsa sfidën e tretë kundër Egjiptit në Seattle më 26 qershor.
Mehdi Taj, kreu i federatës së futbollit të Iranit, tha se baza stërvitore e ekipit do të zhvendoset nga Arizona në qytetin kufitar meksikan të Tijuanës gjatë turneut.
Taj tha gjithashtu se zhvendosja e bazës së ekipit në Meksikë do të ndihmonte në shmangien e problemeve të mundshme me vizat dhe do të lejonte udhëtim më të lehtë përmes fluturimeve direkte.
Në këtë mënyrë është zgjidhur edhe çështja më e rëndësishme që shqetësonte më së shumti FIFA si organizatore të turneut më të madh në historinë e futbollit.
/abcnews.al/


