Iran-Izrael, lufta më pranë se kurrë

schedule19:23 - 1 Maj, 2018

schedule 19:23 - 1 Maj, 2018

Lufta mes Izraelit dhe Iranit duket më afër se kurrë. Kështu sugjeron një analizë e CNN, që i referohet përshkallëzimit të incidenteve ushtarake mes dy vendeve, që kanë zgjedhur Sirinë si fushën e betejës ku të masin forcën.

Në janarin e vitit 2015, një raketë izraelite kaloi kufirin verior të vendit dhe ra në Siri. Mes 7 viktimave që shkaktoi ishin Xhihad Mugnijeh, djali i një prej themeluesve të Hezbollah dhe një komandant i rëndësishëm i Gardës Revolucionare iraniane. Përgjigjia e lëvizjes islamike libaneze ishte e ashpër.

Një shi raketash ra disa ditë rresht në zonën veriore të shtetit hebre, ndërsa ushtarët iranianë u përfshinë në një përplasje të armatosur me trupat izraelite pranë kufirit. Gjithashtu, militantët e Hezbollah qëlluan 5 raketa anti-tank ndaj një autokolone ushtarake izraelite, duke vrarë dy oficerë.

Asokohe Lindja e Mesme u duk se po rrëshkiste drejt një lufte tjetër rajonale, por ajo nuk ndodhi. Të dyja palët u tërhoqën, duke shmangur përshkallëzimin e situatës. Si Izraeli ashtu edhe Irani iu kthyen rutinës së zakonshme. Por tre vjet më vonë, tensionet janë kthyer sërish dhe situata duket shumë më e rëndë se ajo e vitit 2015, shkruan CNN në edicionin online.

Sipas rrjetit informativ amerikan, ajo që për shumë kohë ishte një luftë fjalësh dhe operacionesh të fshehta mes dy vendeve rrezikon të kthehet në një përplasje të hapur. Në shkurt, hyrja e një droni iranian në hapësirën ajrore izraelite futi dy vendet në një fazë të re përplasjeje për supremacinë rajonale. Pak më vonë, një sulm ndaj një baze ushtarake iraniane në Siri shkaktoi vdekjen e 7 shtetasve iranianë. Një tjetër sulm i javës së kaluar, që goditi bazat iraniane në Hana dhe Alepo e që u mori jetën 26 personave ka gjasa të mbajë sërish firmën e Izraelit dhe Irani është betuar se do të hakmerret.

Tashmë nuk është më Izraeli që përballet me Hezbollah për t’i bërë karshillëk Iranit. Tani, Izraeli dhe Irani po përballen me njëri-tjetrin në Siri”, thuhet në analizën e CNN./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!