Investitorët e huaj në Shqipëri: Zgjidhni çështjen e pronave që të investojmë

schedule13:55 - 21 Maj, 2019

schedule 13:55 - 21 Maj, 2019

Zgjidhni çështjen e pronave që të investojme në Shqipëri. Apelin e investitorëve të huaj e përcolli Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë në një takim ku i pranishëm ishte dhe Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Sipas Artan Lames procedurat e ndjekura ndër vite me më shumë se gjysmën e pasurive në vend duhet të rishikohen, por problemi po merr rrugën e zgjidhjes.

Ndërsa të huajt ftohen të investojnë në Shqipëri ata kërkojnë një garanci. Presidenti i Dhomës Amerikane  të Tregtisë tregoi detaje rreth takimeve të zhvilluara me investitor në Neë York.

“Kur parardhësit e mi kanë shkuar në Nju Jork për të tërhequr Diasporën të investojë në Shqipëri, një nga gjërat kryesore që ata i thanë ishte zgjidhni çështjen e pronave që ne të vijmë të investojmë në Shqipëri. Kështu që çështja e pronave ngelet një nga prioritetet tona të rëndësishme”.

Arsye kjo që nxiti Dhomën Amerikane të Tregtisë të organizojë dhe këtë takim ku Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Artan Lame tregoi problemet e trashëguara në gati tre dekada.

“Nga 3.8 milionë pasuri, 2.5 milionë pasuri janë për t’u rishikuar. Saktësuar e azhornuar është tjetër gjë”.

Rreth 20 mije familje në fshat pretendojnë se nuk kanë marrë ende tokën një proces ky që duhet të ishte mbyllur që në vitin 1993, ndërsa gjysma e atyre që e kanë marrë nuk e kanë regjistruar. Me problem sipas Lames rezultojnë dhe pronat shtetërore.

“Mbi 450 mijë familje që kanë marrë tokën në fshat mbi gjysma e tyre nuk e kanë regjistruar ende dhe nuk dihet çdo ndodhë tani që është aksioni ynë ta hedhim në hartë sa mbivendosjet që do të ndodhin. Në nivel vendi vetëm 4% e pronës vendore është regjistruar. Regjistrimi i pronës së shtetit është më keq”.

Zgjidhje sipas Lames do të kërkojë kohë, ndonëse ndërhyrjet kanë nisur në tre drejtime kryesore.

“Hapi i parë është unifikimi i institucioneve, i dyti legjislacioni dhe hapi i tretë mbyllja e proceseve tranzitore”.

Regjistrimi i pronave të mbetura do të vijojë me ndihmën e Bankës Botërore, ndërsa me mbështetjen e Bashkimit Europian do të bëhen rregullimet hartografike. Sa i përket procesit të legalizimit, Lame deklaroi se po shkon drejt mbylljes. Rreth 60 mijë objekte janë në proces, ndërsa 170 mijë janë legalizuar. /ABC news Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!