Prej tre vjetësh një projekt për investimin në ujësjellësa me vlerë prej 7.3 milionë euro po mbahet peng nga përplasja mes drejtuesve të bashkive Prrenjas dhe Librazhd. Nga ana tjetër fshatra të tëra dhe lagjet e qyteteve përkatese vuajnë mungesën e ujit të pijshëm.
Një investim prej 7.3 milionë eurosh në ujësjellës ka përplasur kryetarët e bashkive Librazhd dhe Prrenjas. Secila bashki që qeverisen, njëra nga LSI dhe tjetra nga PS, kërkon përvetësimin e projektit duke iu referuar ligjit.
Bashkiakët kanë tre vite në këtë përballje dhe pasojat ndihen te popullata, e cila nuk furnizohet rregullisht me ujë të pijshëm.
Për kryetarin e Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra, ndërrmarrja e Ujësjellësit nuk duhet të ndahet në dy pjesë, sepse kjo do të sillte dështim.
Por kryetarja e Bashkisë së Prrenjasit, Miranda Rira, thotë se me ndarjen e re administrative ndërmarrja e ujësjellësit i takon bashkisë së saj dhe akuzon, Gurrën për problemin e krijuar.
Në këtë konflikt, ku të dy bashkiakët i referohen ligjit, ai i Librazhdit thotë se rëndësi ka të bëhet investimi.
Derisa palët të bien dakord apo të gjendet një zgjidhje se kush do të ketë në varësi ndërmarrjen e ujësjellësit e për pasojë do të fitojë edhe projektin prej 7.3 milionë eurosh, zona të tëra në Librazhd dhe në Përrenjas do të vujnë thatësirën./abcnews.al