Në qytetin e Durrësit prej kohësh kanë nisur punimet në rrugë të ndryshme. Ajo që vërehet ka të bëjë me faktin se po u lihet më shumë hapësirë kalimtarëve duke zgjeruar trotuaret dhe më pak hapësire mjeteve duke ngushtuar rrugët.
Ka kohë që Durrësi i ngjan një kantieri ndërtimi. Asfaltimi i rrugës “Egnatia” një prej arterieve kryesore të qytetit është drejt përfundimit. Ky segment ka pësuar ndryshime të mëdha.
Trotuarët janë më të gjera, kurse rruga e makinave më e ngushtë. Aq sa autobusët kryesisht ata urban mezi levizin. Në mes të kryqëzimit është vendosur rrethrrotullimi. Një i ngjashëm ndodhet edhe në kryqëzimin që lidh bulevardin “Dyrrah” me rrugët e tjera të qytetit. Këtu synohet lehtësimi i trafikut.
Paralel me infrastrukturën rrugore dhe trotuare, investime po kryhen edhe në shtrirjen e rrjetit të ri të kanalizimeve dhe pastrimin e atyre ekzistues. As Rruga “Mars 91” e ndërtuar sëfundmi nuk i ka shpëtuar ndërhyrjes.
“Prej ditësh këtu qarkullimi i automjeteve është i ndaluar. Pavarësisht se u konsiderua ndër investimet më të mira në qytet, sëfundmi u pa i domosdoshëm investimi në rrjetin e kanalizimeve”.
Po këto investime, edhe të tjera të shoqëruara me bllokim rruge, kanë sjellë anomali në lëvizjen e këmbësorëve dhe mjeteve. Në çdo orë të ditës qyteti përballet me trafik të rënduar, për shkak të mbylljes së disa rrugëve, punimet e te cilave do te zgjasin deri në fund të muajit dhjetor. /abcnews.al
Gazetare e ABC News, Durrës: Enkeleda Arapi