Përgjimet e reja të publikuara nga Zëri i Amerikës se si krimi i organizuar u përfshi në zgjedhje me eksponentë socialistë, ishin kryefjala e debatit të orientuar nga opozita në Kuvend. Lulzim Basha kërkoi qeveri tranzicioni, ndërsa kryeministri Rama paralajmëroi se në qershor, opozita do humbë edhe më thellë në zgjedhje.
I gatuar në shtëpi, por i servirur jashtë saj. I tillë erdhi lajmi që sfumoi çdo shqetësim tjetër të shqiptarëve, të enjten parlamentare.
“Përgjimet zbulojnë rolin e krimit të organizuar në blerjen e votave në Shqipëri”, ishte titulli i lajmit të Zërit të Amerikës, i paralajmëruar nga opozita dhe refuzuar nga qeveria.
Basha: “Ka 5 vjet që Partia Demokratike e denoncon këtë, dhe tani, gjithçka që kemi thënë është faktuar, gjithçka kemi thënë është botuar dhe është transmetuar nga mediat më serioze të vendit dhe të botës, nga Zëri i Amerikës… kjo seancë duhet ndërprerë dhe njeriu që ka përgjegjësinë për shndërrimin e këtij parlamenti nga tempull i demokracisë në një bodrum të krimit, sepse arsyeja e vetme se përse janë këtu, është marrëdhënia e tyre me Avdylët, me Keçët, Shullazët, Dajtët, Bandën e Lushnjes, Bandën e Vlorës, Bajrët e Shkodrës”.
Rama: “E tha Amerika! VOA zëdhënës i kazanit të Tiranës. Une do largohem se kam komunikim me Shtëpinë e Bardhë”.
Hajdutë votash dhe hajdutë të së ardhmes së shqiptarëve i quajti kryedemokrati Basha socialistët në pushtet. Provë e ksaj, protestat e qytetarëve të keqqeverisur, thekson ai.
Basha: “Keni zhytur vendin në krizë. Ju veproni me kod mafioz. Ju veproni si bandë kriminale. ju hani e pini me kriminelët, duke filluar nga ky i pari. Vetë e dini apo jo edhe ju ish-ministrat që më shumë rrinte me Ymer Lalën sesa rrinte me vetë Ministrin e Financave, sipas vetë ministrit të Financave, ish-ministrin e Financave… Dhe kur e lidh fatin me kriminelët nuk ka si të bëhet vonë për shqiptarët e thjeshtë. Kur e lidh fatin me Ymer Lalën nuk të çahet koka për dibranët e thjeshtë… Kur e lidh fatin me Emiljano Shullazin e me Dritan Dajtin nuk të bëhet vonë as për banorët e Tiranës, as për pensionistët, as për ata të Astirit, as për ata të Bulevardit të Ri”.
Një përgjigje ja dha kush lidhjen e ka të gjakut.
Reme Lala: “Ymer Lalën e ke kërkuar edhe ti Lulzim Basha”.
Basha nga vendi: “Me kë rrinë kriminelët e Dibrës u tregua dje”.
Protestat duket se nuk e trembin shefin e qeverisë…
Rama: “Lëri këto protesta që na shkulin e ngulin”.
Por frika për Kryeministrin, duhet të jetë e opozitës për humbjen që i pret në zgjedhjet e qershorit.
Rama: “Në qershor do dorëzoni edhe Kukësin”.
Është Rama ai i cili do të dorëzojë karrigen e Kryeministrit sipas Bashës, në një mënyrë ose tjetrën.
Basha: “Keni shansin që me koston më të vogël për vendin, hapni rrugën për një qeveri kalimtare dhe zgjedhjeve që ti sjellin vëndit një parlament të vërtetë. Por, nëse nuk e kuptoni se tik-tak, po ju mbaron koha. Ty të parin do të shkulim nga ajo karrige”./abcnews.al