Interi do 90 milion euro, pse Lautaro Martinez nuk pranon rinovimin

schedule16:58 - 11 Qershor, 2021

schedule 16:58 - 11 Qershor, 2021

Lautaro Martinez po refuzon të nënshkruajë një kontratë të re me Interin. Argjentinasi, i cili ka një marrëveshje deri më 30 qershor 2023 me zikaltrit, nuk është bindur nga oferta.

Interi i ka ofruar 4.5 milion euro në vit, por Martinez dhe përfaqësuesit e tij mendojnë se kjo shifër nuk i shkon për shtat një lojtari për të cilin klubi italian kërkon 90 milion euro për ta shitur.

Pretendimet e sulmuesit janë që me kontratën e re të përfitojë 6 milion euro në sezon. Momentalisht bisedimet për rinovimin kanë ngecur.

Interi edhe mund ta shesë Lautaron. Atletico Madrid, Real Madrid dhe Barcelona vijojnë ta mbajnë nën mbikëqyrje.

Atletico pak kohë më parë ofroi 45 milion euro për sulmues, ofertë që u refuzua. Real Madrid nga ana tjetër kërkon të përfshijë Luka Jovic për të ulur çmimin e sulmuesit.

Barcelona e ka të pamundur ta ofrojë shifrën e 90 milion eurove, ndërkohë që GDS shkruan se Interi preferon të shesë Hakimin dhe jo Lautaro Martinez. /abcnews.al