Interes nga Serie A dhe nominim për çmimin e më të mirit, kryefjala është Myrto Uzuni

schedule13:24 - 10 Maj, 2021

schedule 13:24 - 10 Maj, 2021

Dihej që më parë se do të kishte ankand për të. Myrto Uzuni ka zgjuar interesimin e disa klubeve në Europë pas një sezoni shumë të mirë në Hungari me Ferencvaros dhe lajmet janë që vëmendje për të ka edhe në Itali. Burime pranë tij bëjnë me dijë se klube të Serisë A janë në kërkim të futbollistëve të talentuar dhe me kosto relativisht të ulët, ndaj edhe zyra agjentësh nga Italia kanë nisur telefonatat.

Nuk jepen emra konkretë të klubeve që duan sulmuesin e kombëtares shqiptare, por fakt është se në elitën italiane luajnë disa lojtarë të Shqipërisë. Interesim konkret për 25-vjeçarin ka shprehur Olimpiacos, kampioni i Greqisë.

Mediet hungareze kanë shkruar se Ferencvaroshi kërkon 4 milionë euro për kartonin. Uzuni është i këshilluar që të zgjedhë një kampionat tjetër, jo atë grek, sepse nuk do ta kishte si trampolinën e duhur për në ligat e forta perëndimore.

Gjithsesi, e sigurt është që paraqitja e tij këtë sezon ia garanton një transferim të rëndësishëm. Sulmuesi 25-vjeçar ka shënuar 15 gola e 6 asiste këtë sezon, nga të cilët 3 rrjeta në Champions, përfshi edhe atë në fushën e Juventusit në fazën e grupeve.

Ai ishte padyshim aktori kryesor në aventurën e Ferencvaros në Champions League dhe një nga më të mirët e skuadrës gjatë gjithë sezonit. Duke parë gjithë paraqitjet pozitive të sulmuesit, Uzuni është nominuar për çmimin e lojtarit të vitit të Hungari, ku votojnë kapitenët dhe trajnerët e ekipeve të elitës. /abcnews.al