Inteligjencë artificiale kundër kërcënimit bërthamor

schedule22:27 - 5 Qershor, 2018

schedule 22:27 - 5 Qershor, 2018

Qeveria në Shtetet e Bashkuara ka zgjedhur inteligjencën artificiale për të mbrojtur vendin nga rreziqet bërthamore. Ushtria amerikane po punon për krijimin e një sistemi që do të analizojë rreziqet më shpejt se njerëzit dhe do t’i neutralizojë ato para se të ekzekutohen.

Ushtria amerikane po shpenzon shuma të mëdha për zhvillimin e një projekti, synimi i të cilit është përdorimi i inteligjencës artificiale për zbulimin e raketave bërthamore dhe parandalimin e lëshimit të tyre.

Lajmin e bën të ditur agjencia “Reuters”, që citon burime pranë niveleve të larta të ushtrisë amerikane. Sipas zyrtarëve, faktikisht janë disa projektet mbi të cilat administrata po punon, por që për të cilët është folur pak ose aspak.

Nëse studimi do të arrijë suksesin e synuar, atëherë sistemet e kontrolluara nga inteligjenca artificiale do të jenë në gjendje të bëjnë vetë llogaritë, duke analizuar një bazë masive të dhënash, përfshirë pamjet satelitore, me një shpejtësi dhe saktësi që tejkalojn kapacitetet njerëzore.

Konkretisht, sistemet do të dallojnë përgatitjet për lëshimin e një rakete bërthamore dhe në këtë mënyrë, Shtetet e Bashkuara do të kenë mundësi të ushtrojnë presion diplomatik ndaj vendit përgjegjës. Ose, në rast të një sulmi të pashmangshëm, ushtria do të ketë më shumë kohë për të asgjësuar raketat ende pa u lëshuar, ose t’i lokalizojë ato në ajër.

“Duhet të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për ta gjetur atë raketë para se të qëllohet dhe ta bëjmë sa më të vështirë ngritjen e saj në ajër”, ka deklaruar një zyrtar në kushte anonimati./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!