Bekim Blakaj nga Qendra për të drejtat humanitare (FDH), në një intervistë me Skype për emisionin “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku u shpreh se arritja e një marrëveshjeje që do të ndikojë te komuniteti serb në Kosovë, do të normalizonte marrëdhëniet me Serbinë.
“Komuniteti serb në Kosovë po jeton në një frikë sepse nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë për ta dhe shqiptarët e kanë brengën e vet se çfarë do të sjellë mosarritja e një marrëveshje. Është e rëndësishme pa marrë parasysh se çfarë përmban ajo marrëveshje por gjithsesi do të relaksojë marrëdhëniet ndëretnike këtu në Kosovë.”, tha ai.
Siç shtoi ai, serbët në veri të Kosovës janë “ushqyer” ndër vite me mitin se Kosova është pjesë e Serbisë dhe marrëveshja me njohjen e ndërsjellë do t’i bënte ata të kuptonin se është një shtet i pavarur. Sipas tij, kjo do t’i ndihmonte ata që të integroheshin më mirë në institucionet e Kosovës.
“Është folur shumë për veriun e Kosovës dhe e vërteta është që aty është qendra më neurologjike në mes të marrëdhëniet shqiptaro-serbe. Viteve të fundit ka pasur një test për serbet e veriut të Kosovës. Ka pasur integrim në strukturat e shtetit, si policët, doganierët etj. Ishte një lloj testi se serbët e veriut të Kosovës mund të integrohen mirë në sistemin shtetëror nëse ka një dritë jeshile nga ana e Beogradit.
Por ata janë ushqyer me mite dhe premtime që nuk mund të realizohen, se një ditë në Kosovë do të kthehet policia dhe administrata serbe. Një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës, që do t’u sqaronte krejt këtë tablo serbëve, ku do të shihnin se janë pjesë e Kosovës, mendoj se serbët qoftë në veri dhe në pjesë të tjera, do të integroheshin shumë shpejt në institucionet e Kosovës.”, tha ai.