Integrimi në BE/ Gjipali: Shqipëria ka përparësi për shkak të avancimit në reformën në drejtësi

schedule18:35 - 17 Maj, 2024

schedule 18:35 - 17 Maj, 2024

Eksperti për integrimin, Gledis Gjipali thotë se është ende shpejt për të folur për një avancim që do të mundësonte anëtarësimin në BE në vitin 2027. Në një intervistë për “Special Report”, Gjipali shtoi se nxitja e re ekonomike nga ana e BE do të reflektohet edhe në procesin e reformave të kërkuara.

“Do të thosha se 2027 ndoshta është shpejt për të folur për një arritje të standardeve evropiane, që do të bënte të mundur më pas anëtarësimin. Më duket pak shpejt për faktin që ende kemi bllokime politike të procesit gjë, që nuk sjellin entuziazëm në vendet e bllokuara, por gjithsesi programet e fundit, plani i ri i rritjes, do t’i japë një nxitje të fortë duke qenë i pasur me iniciativa financiare dhe ekonomike dhe mendoj se ky element i ri, me fonde më të mëdha, por kjo nxitje do të reflektohet edhe në procesin e reformave. Në një farë mënyre edhe BE e sheh dobësinë e tij politike dhe përpiqet ta përmirësojë nëpërmjet pjesës financiare dhe administrative.”, tha ai.

Sipas tij, zbatimi i reformës në drejtësi bën që Shqipëria të jetë një hap më para se vendet e tjera të rajonit në lidhje me procesin e integrimit.

“Çështja e shtetit të së drejtës është në thelb të procesit të anëtarësimit dhe për faktin që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë dobësi të theksuara në këtë dimension dhe që reflektohet në shumë aspekte të tjera si të drejtat e njeriut, lufta kundër korrupsionit, qëndrueshmëria ekonomike dhe e klimës së biznesit. Pra, janë të ndërlidhura me reformat kryesore të BE. Për këtë arsye, Shqipëria ndonëse është pas në procesin formal, mendoj se mund të rikuperojë shumë kohë për shkak të avancimit të reformës në drejtësi dhe të zbatimit. Mendoj se kemi një përparësi nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në momentin që do të hiqen bllokimet politike.”, shtoi Gjipali./abcnews.al