I zhgënjyer është shprehur ministri për Evropën dhe punët e jashtme Ditmir Bushati me shumicën e kryebashkiakëve, të cilët nuk kanë treguar angazhimin e duhur, në procesin e vlerësimit analitik që përcakton hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Gjatë një takimi konsultues për ngritjen dhe funksionimin e strukturës përgjegjëse për zhvillimin e negociatave, ministri Bushati, kërkoi që askush të mos e neglizhojë këtë proces.
Rama në qershor 2018: “Nuk kemi humbur 12 muaj. Kemi 12 muaj punë, që është e njëjta punë që do të kryhej edhe nëse do të thuhej në tekst, negociatat hapen sot”
Gjashtë muajt e parë kaluan por procesi screening që kërkon bashkëpunimin e të gjitha palëve nuk është aty ku duhet. Madje ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme shprehet i zhgënjyer kryesisht nga puna e bashkive.
Bushati: “Unë kam insistuar që ky takim të bëhej në 9:00, unë dëshiroja që të bëhej 8 të mëngjesit për të kuptuar gatishmërinë e institucioneve. Reagimet që kam marrë kanë qenë zhgënjyes, aq më tepër që bashkitë duhet të luajnë një rol aktiv në këtë proces.
Në këtë takim konsultues për ngritjen e strukturës për zhvillimin e negociatave me Bashkimin Europian ministri Ditmir Bushati nënvizoi që të hidhen hapat e kërkuar ashtu siç duhet e jo në zbrazëtirë pasi ky mision duhet të marrë vlerën e duhur.
Bushati: “Për disa kapituj ka kritere hapëse, kritere ndërmjetëse dhe kritere mbyllëse. Për të gjitha këto vendi do të duhet të miratojë plane veprimi, por edhe t’i zbatojë dhe në këtë kontekst ushtrimi i orës 8 të ëmnghjes ska për t’iu ndarë në asnjë moment deri sa vendi ta ketë ndarë mendjen që do bëhet pjesë e BE”.
Thirrjen për të mos pushuar asnjë ditë e ka bërë edhe komisioneri Johanes Hahn në korrik gjatë vizitës që zhvilloi në Tiranë.Pasi rezultatet e procesit të vlerësimit analitik përcaktojnë mandatin e negociatave me Bashkimin Evropian.
“Mos humbi asnjë ditë. Nisni sa më shpejt të jetë e mundur. Më thuhet gjithmonë dhe them gjithmonë, njerëzit janë me pushim, por jo institucionet”.
Këshillën e komisionerit Hahn duhet ta dëgjojë edhe administrata shqiptare të cilën e presin pushime të tjera në muajin e festave të fundvitit. /abcnews.al