I ftuari i radhës në “Pas Mesnate” është restauratori, Frederik Stamati, i cili njihet si “heroi i restaurimit”. Ai ka rrëfyer shumëçka rreth punës së tij ndër vite, duke u ndalur veçanërisht te integrimi i 8153 copave të mburojës së Apollonisë.
Sipas Stamatit, si kjo mburoja ka vetëm 3 në të gjithë botën, në Selanik, Luvër dhe në Shqipëri.
Ai tha se kur ka nisur integrimin e copave specialistët e huaj e kishin qujtur të çmendur, por që në fund arriti t’ja dilte.
“U desh të lexonim literaturë, të bënim shumë konsulta në Shqipëri dhe jashtë. Edhe mua më rezultuan rreth 760 variante, në të cilat mund të ndërhyje. Edhe janë instrumentuar të gjitha një për një, derisa u gjet ai variant që do ta çonte punën deri në fund fare pa pasur rrezik se mund të zhdukej ky objekt. Është objekti më i vështirë, i restauruar dhe objekti metalik më i studiuar në muzeumet e Shqipërisë.
Thonë se ka vetëm tre në të gjithë botën. Është një gjë e rrallë të kesh një objekt të tillë.
Për simbolikën mund të flasin edhe arkeologët. Ajo ka dekoracionin e vetë, në qendër është Meduza dhe dekoracioni është me menisqe dhe me pika. Ky është dekoracioni që paraqitet në 6 blloqe dhe krijojnë atë dekoracionin e mburojës.
Edhe nëpër Shqipëri kam kërkuar nëpër muzeume, ato relievet që janë me mburoja, nuk dinin pse ishte ndërtuar, askush nuk thoshte një fjalë. Kam parë nëpër muzeumet e Europës ku kam pasur fjalë, literaturë po e po. Kam bërë konsulta direkt, biseda po e po, me specialist të arkeologjisë nëpër muzeume të ndryshme. Kemi këmbyer mendime, por ka edhe një rast kur ishim dy specialistë të huaj të kësaj fushe dhe ja tregova mburojën e laboratorit. Edhe më thanë: ‘O Frederik kjo është një çmenduri që po bën’ dhe u bë”, u shpreh Stamati./abcnews.al