Instituti “Pashko” prezanton fushatën: Nuk na duhet shtet, por treg!

schedule11:49 - 25 Janar, 2018

schedule 11:49 - 25 Janar, 2018

Nuk na duhet shtet, por treg! Kështu e ka titulluar Instituti Pashko fushatën e dytë sensibilizuese që prek në mënyrë të drejtëpërdrejtë jetën e qytetarëve. Kjo fushatë  vjen si nevojë për të informuar dhe ndërgjegjësuar shoqërinë shqiptare për shkaqet që çojnë në pengimin e zhvillimit të tregut, garës dhe konkurencës.

Rikthehen me një fushatë të dytë për të rritur vëmendjen ndaj asaj që njerëzit e shohin si ideologji, por  që prek jetët e gjithsecilit prej nesh çdo ditë.

“Nuk na duhet shtet, por treg”  është fushata e dytë, e cila vjen pas asaj të vitit 2015  kundër taksave të larta e të shumta. “Rezultoi se kishim të drejtë. E pamë të gjithë se çfarë i ndodhi ekonomisë nga ndërhyrjet e mëdha në emër të të bërit shtet goditi në mënyrë të padrejtë biznesin dhe sipërmarrjen e lirë në vend”.

Në ceremoni prezantuese themeluesi i këtij instituti, Henri Çili tha se ky vit, që përkon dhe me vitin e pestë të qeverisjes së Majtë është një vit bilancesh.

“Jo më kot është një shprehje e kryeministrit Rama: “Ne do të bëjmë shtet!”  dhe po e shohim se kostot janë të mëdha. Ka një ngadalësim të motorit ekonomik, depresion, ngecje, nivel mizerabël i administratës shtetërore në nivel të dytë dhe të tretë. Këto janë tipare të një antropologjie kulturore e politike si etatizmi”

Sipas Cilit kjo fushatë vjen si nevojë për të informuar dhe ndërgjegjësuar shoqërinë shqiptare mbi pengesat burokratike, etatiste e strukturore që pengojnë  zhvillimin e tregut, garën dhe konkurrencën.

Presidenti i Institutit Evropian Pashko Selami Xhepa sqaroi me detaje përmbajtjen e kësaj fushate për të shmangur keqkuptimet që kanë shoqëruar shpesh liberalët, qysh prej fillimit të tranzicionit se janë kundër shtetit.

“Shteti dhe tregu nuk përjashtojnë njëra –tjetrën . Asnjëra nuk ekziston pa tjetrën.  Një treg nuk mund të ekzistojë  kurrë pa një shtet funksional dhe eficient dhe një shtet i dobët nënkupton një shtet të dështuar. Janë të lidhura dhe në sinergji me njëra-tjetrën. Kjo është arsyeja që doja ta shpjegoja që të mos kuptohet sikur jemi alergjikë ndaj çdo gjëje lidhur me shtetin”

Instituti Europian Pashko mban emrin e Gramoz Pashkos, si një simbol i moderniteti shqiptar dhe mendimit liberal, një simbol frymëzues për të gjithë shoqërinë shqiptare./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!