Inskenimi i rrëmbimit, mjeku psikiatër: Do e trajtoja si problem të familjes

schedule17:57 - 5 Tetor, 2019

schedule 17:57 - 5 Tetor, 2019

Inskenimi i rrëmbimit të 13-vjeçares të premten në Tiranë tronditi opinionin publik. Për të folur rreth kësaj çështjeje ishte i ftuar në studion e ABC News mjeku psikiatër Neli Demi.

Ky rast ishte origjinal për mjekun përgjatë gjithë eksperiencës së tij. Megjithatë ai theksoi se jo domosdoshmërisht problematika e adoleshentëve për të pasur gjithnjë e më shumë autonomi shfaqet në këtë mënyrë. Demi u shpreh se shqetësime të tilla duhen adresuar dhe menaxhuar në gjirin e familjes.

“Unë e shoh si problematikë e cila shfaqet më pas me një reagim impulsiv, ekstrem të adoleshentit. Profesionalisht nuk do e trajtoja si një problem të adoleshentit, më shumë se sa një problem të sistemit ku jeton adoleshenti, që është familja. Adoleshenti do trajtuar në mënyre specifike nga profesionistë të cilët janë të trajnuar dhe të përgatitur. Dhe prindërit duhen trajtuar nga specialistë që janë për të rriturit. Unë mendoj që domosdoshmërisht prindërit duhet të marrin këshillim apo terapi në mënyrë që të menaxhojnë situata problematike me fëmijët e tyre. Unë mendoj që edhe në rastet e pakomplikuara të adoleshencës prindërit kanë nevojë për jodomosdoshmërisht psikiatër, por psikolog, këshillues pasi është e domosdoshme që të merret një këshillë profesionale për rastet e tilla”, tha Demi.

Sipas mjekut psikiatër edhe roli i institucioneve arsimore është shumë i rëndësishëm në raste të tilla. Ai theksoi se mënyra për të kaluar këto problematika është komunikimi.

“Duhet punuar edhe me adoleshentët. Të përpiqen që të komunikojnë sa më hapur me prindërit e tyre dhe në rast se nuk gjejnë kuptim të komunikojnë me njerëz të tjerë, në të cilët besojnë, apo me profesionistë që janë të besueshëm në institucionet e arsimit ose jashtë”, tha Demi.

Në dëshminë e dhënë në praninë e psikologut në drejtorinë e policisë, e mitura që inskenoi rrëmbimin e saj i ka qëndruar deklarimit të saj se, gjithçka e ka bërë vetëm se ishte privuar nga pjesa tjetër e shoqërisë për të shkuar te ditëlindja e shoqes së saj të ngushtë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!